Autoritetet policore sekuestruan më shumë se 2.6 tonë kokainë – me një vlerë prej rreth 500 milionë eurosh në tregun e shitjes me pakicë – në brigjet e Portugalisë në Atlantik, njoftoi të hënën Policia italiane e Kufirit dhe Doganave.

Droga u gjet në bordin e një gomoneje të shpejtë për lundrim në det të hapur – një mjet që kontrabandistët e përdorin zakonisht për të marrë ngarkesat e paligjshme të hedhura në det nga anije të mëdha që vijnë nga Amerika e Jugut – thuhet në njoftimin e Policisë Financiare italiane.

Katër persona që ndodheshin në mjet u arrestuan: dy shtetas spanjollë, një banor i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar me vendbanim në Itali.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe portugeze, ndërsa hetimet u koordinuan nga prokurorët italianë në qytetin verior të Breshias.

Sipas autoriteteve italiane, vlera e kokainës në tregun me shumicë vlerësohet në rreth 78 milionë euro.

Pasi të përzihej me substanca të tjera dhe të shitej në tregun me pakicë, ajo mund të gjeneronte të ardhura prej rreth 500 milionë eurosh.

Shtetas shqiptarë janë përfshirë vazhdimisht në hetime ndërkombëtare për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Autoritetet në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë kanë identifikuar gjatë viteve të fundit grupe kriminale shqiptare si pjesë të rrjeteve që organizojnë transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës, shpesh në bashkëpunim me organizata kriminale nga vende të tjera.

Sipas agjencive evropiane të zbatimit të ligjit, këto rrjete kanë zgjeruar aktivitetin e tyre veçanërisht në tregtinë e kokainës, duke shfrytëzuar rrugët detare që lidhin Amerikën e Jugut me Evropën./REL