Kreu i ASH-së, Ziadin Sela, në emisionin e mbrëmshëm Click Plus, u bëri thirrje të gjithë aktivistëve dhe mbështetësve të Aleancës për Shqiptarët që t’i bashkohen këtij subjekti.

“Unë ju bëj thirrje të gjithë aktivistëve të thjeshtë, të zakonshëm, që padashje kanë besuar, kanë pasur ndonjë shpresë, ku zhvillimet e asaj kohe në atë formë ju paraqitën që të duket se Ziadin Sela tradhton një kauzë ose ku e di unë çka. Sot e vërteta flet ndryshe. Ziadin Sela u la pa asnjë zgjidhje tjetër dhe duhej që kjo strukturë politike dhe kjo bërthamë politike e ASH-së të mbijetojë. Tashmë do ta rimarrë veten. Unë ju bëj thirrje të gjithë këtyre njerëzve se është e njëjta Aleancë që unë e udhëheq, unë jam i njëjti”, deklaroi Ziadin Sela.

Ziadin Sela mohoi zërat se ASH-ja do të bëhet pjesë e Qeverisë dhe se ka pasur takim mes tij dhe kryeministrit Mickoski.

ASH-ja është e gatshme të flasë për tema politike, për çështje programore dhe politike. Ne nuk ulemi për të biseduar për ministri, por për Kushtetutën, për perspektivën eurointegruese, për Gjykatën Kushtetuese dhe Badinterin në Gjykatën Kushtetuese.

-Nëse do të kishit një ofertë, këto do të ishin kushtet e juaja?

-“Natyrisht, këto do të ishin gjërat që duhet të diskutohen dhe pastaj mund të flitet për oferta të tjera“.

Sela vlerësoi se qeveria aktuale duhet të bjerë sa më shpejt dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.