Radhë të gjata për të votuar u panë që në orët e para të mëngjesit.

Serbët votuan këtë të dielën në zgjedhjet parlamentare, të cilat shihen si një përballje mes liderit populist Aleksandar Vuçiq, dhe lëvizjes së studentëve universitarë që udhëhoqën protesta kundër tij për gati dy vjet.

Votuesit shprehën pritshmëritë e tyre.

“Kjo më kujton kohën kur isha e re, kur ishte një ditë e veçantë kur dilnim dhe votonim, dhe kjo ditë e sotme ishte një ditë e veçantë për mua. Jam shumë e emocionuar; pas 30 vjetësh, jam vërtet e emocionuar”, tha Aida Rodiq – votuese.

“Shpresoj që gjithçka të shkojë në mënyrë paqësore dhe që gjithçka të përfundojë mirë, në mënyrë që, pavarësisht se si dalin të tjerët, të mos shkaktojnë probleme dhe që më në fund të agojë dita në këtë vend pas shumë vitesh”, u shpreh Jovan Mitroviq – votues.

Edhe pse 6,4 milionë votuesit e Serbisë mund të zgjedhin mes 18 partive që synojnë të hyjnë në Parlamentin me 250 vende, zgjedhjet janë shndërruar në një referendum mes Partisë Progresive Serbe të krahut të djathtë të Vuçiqit dhe Listës së Studentëve, të mbështetur nga të rinjtë.

Vuçiq, pasi hodhi fletëvotimin, tha se do ta pranojë rezultatin sido që të jetë.

“Besoj se do të shohim vullnetin demokratik të popullit. Siç thashë, mund t’i fitoni zgjedhjet, mund t’i humbni zgjedhjet, por ne gjithmonë do të veprojmë me përgjegjësi. Nëse humbim, do ta pranojmë humbjen dhe do ta njohim vullnetin e votuesve, nëse fitojmë, askush nuk do të na e marrë fitoren. Kaq. Serbia sot po zgjedh rrugën e saj. A do të shkojë drejt së ardhmes apo drejt së kaluarës? – u shpreh Aleksandar Vuçiq – lider i Partisë Progresive Serbe.

Gjersa Vuçiq ka arritur vazhdimisht ta mposhtë opozitën e përçarë të Serbisë në të kaluarën, lëvizja studentore pa një udhëheqës të vetëm është dëshmuar si një kundërshtare e fortë, e cila ka tronditur kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin në Serbi, si askush tjetër gjatë 14 viteve të fundit, që kur partia e tij erdhi në pushtet.

Në këto zgjedhje, kandidatët kryesorë besohet se kanë mbështetje pothuajse të barabartë në sondazhe, duke i bërë zgjedhjet e së dielës më të pasigurtat e viteve të fundit. Për shkak të pjesëmarrjes së lartë, ka gjasa që shumica e partive më të vogla të mos e kalojnë pragun prej 3 për qind, të nevojshëm për të hyrë në Kuvend.

Një fitore e studentëve ka të ngjarë të kishte jehonë përtej Serbisë, pasi vendet në mbarë Evropën po përballen me protesta të të rinjve dhe studentëve.