Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se SHBA-të tashmë kanë dërguar ekipe shpëtimi në Venezuelë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të dy tërmeteve. Sipas tij, Venezuela ka nevojë për ndihmë, pasi një numër i madh njerëzish kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
“Paraditen e sotme pata mundësi të flas me Delcy Rodríguez, ushtruese detyre e presidentes. Aktualisht po presim informacione shtesë. Tashmë po dislokojmë ekipe kërkimi dhe shpëtimi nga Qarku Fairfax, Virxhinia, si dhe nga Los Anxhelos. Do të dërgojmë edhe ekipe të tjera. Kjo është nevoja e tyre më urgjente në këtë moment – operacionet e kërkimit dhe shpëtimit. Ka një numër të madh ndërtesash të shembura, prandaj do të nevojitet ndihmë e konsiderueshme për pastrimin e rrënojave. Aeroporti është dëmtuar rëndë, kështu që do të duhet të mbështetemi në Departamentin e Mbrojtjes për transportin dhe dislokimin e burimeve. Po ashtu, po i ndihmojmë me pamje ajrore, veçanërisht në zonat bregdetare, ku ende nuk kanë një pasqyrë të plotë të përmasave të dëmeve dhe pasojave. Këto janë nevojat më urgjente në 48 deri 72 orët e ardhshme, sepse në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit përpiqeni të arrini te njerëzit sa ka ende mundësi për t’ua shpëtuar jetën. Ata janë të bllokuar nën rrënoja”, tha Marco Rubio – Sekretar i Shtetit i SHBA.
