Presidenti Donald Trump tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po zhvillonin “bisedime të mira” me Iranin dhe se ekzistonte mundësia për një marrëveshje mbi konfliktin e tyre, por paralajmëroi se sulmet ajrore amerikane do të rifillonin nëse negociatat nuk do të jepnin rezultate.

“Ata nuk do të kishin kërkuar takim nëse ne do të ishim duke bërë keq. Arsyeja e vetme që duan të takohen është sepse i kemi goditur shumë fort”, tha Trump.

Uashingtoni pezulloi papritur një fushatë dyjavore sulmesh ajrore kundër Iranit të shtunën, në kthesën e fundit strategjike të Trump në konfliktin pesëmujor.

Situata ishte e qetë deri këtë të hënë pasdite kur u raportuan sulme ndaj Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Irakut.

Riadi tha se kishte rrëzuar dronë që synonin objektiva nafte të cilët ishin lëshuar nga Iraku nga milicia e mbështetur nga Irani dhe rezervoi të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.

Veçmas, Huthët e Jemenit shënjestruan vendet e tranzitit që transportojnë naftë në portin kryesor të detit të kuq në Arabinë Saudite në hakmarrje për atë që ata i quajtën ndërhyrje në hapësirën ajrore të vendit.

Edhe Jordania e Iraku tha se kishin rrëzuar dronë por pa identifikuar origjinën e tyre.

Pezullimi i sulmeve SHBA-Iransolli një reagim pozitiv në bursat ndërkombëtare, ku çmimi i naftës bruto ra me mbi 6%, duke zbritur nën 90 dollarë për fuçi.

Më herët zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, ironizoi Uashingtonin duke deklaruar se SHBA-ja kthehet në tryezën e bisedimeve vetëm kur përballet me rritjen e çmimeve të energjisë.