Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, tha se lajme të mira sa i përket situatës në Iran mund të vijnë gjatë ditës.  Ruboi, që gjendet në udhëtimin e tij të parë në Indi, tha se është bërë përparim i madh në negociatat SHBA-Iran, edhe pse jo përparim përfundimtar. Sekretari i Shtetit përsëriti qëndrimin se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe Irani nuk e ka në pronësi. Preferenca e presidentit Trump, tha Rubio, është të gjendet një zgjidhje diplomatike për këto çështje, e cila do të kërkonte pranim dhe pajtueshmëri të plotë nga Irani. Ai shtoi se një marrëveshje e mundshme do të niste po ashtu një proces që në fund mund të na çojë aty ku presidenti dëshiron të jemi, dhe kjo është një botë që nuk duhet të jetojë më me frikë apo shqetësim për një armë bërthamore iraniane. Komentet e Rubios erdhën pasi Tramp tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte gjerësisht e negociuar. Udhëheqësi amerikan po ashtu paralajmëroi hapjen e Ngushticës së Hormuzit, por Teherani mohoi këtë pretendim.

“Për situatën me Iranin, besoj se ndoshta do të ketë më shumë lajme pak më vonë gjatë ditës për këtë çështje, dhe do t’ia lë presidentit të bëjë njoftime të mëtejshme për të. Mjafton të them se është bërë njëfarë përparimi. Është bërë përparim i rëndësishëm, edhe pse jo përfundimtar. Pra, kemi bërë njëfarë përparimi gjatë 48 orëve të fundit duke punuar me partnerët tanë në rajonin e Gjirit mbi një kornizë që në fund, nëse ka sukses, mund të na çojë jo vetëm drejt ngushticave plotësisht të hapura dhe me këtë dua të them ngushtica të hapura pa tarifa por edhe drejt adresimit të disa prej çështjeve kyçe që kanë qenë baza e ambicieve të Iranit për armë bërthamore në të kaluarën. Natyrisht, kjo do të kërkojë pranimin e plotë nga Irani dhe më pas zbatimin e saj, si edhe punë të mëtejshme për negocimin e detajeve,” deklaroi Marko Rubio, Sekretar Amerikan i Shtetit.

The post SHBA–Iran drejt marrëveshjes? Rubio flet për përparim të madh appeared first on Alsat.