Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim të pezullojë përkohësisht procesin e lëshimit të vizave për emigrantë për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Sipas “Fox News”, në listën nga rajoni, përveç Maqedonisë, janë përfshirë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria.
Kjo masë, e cila hyn në fuqi më 21 janar 2026, është pjesë e një plani më të gjerë të administratës amerikane për të kufizuar emigracionin e personave që konsiderohen “ngarkesë publike”, dmth. të varur nga ndihma sociale dhe përfitimet publike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas një memorandumi të brendshëm të Departamentit të Shtetit, pezullimi i vizave do të zgjasë për një kohë të pacaktuar, deri sa autoritetet të kryejnë një rishikim të plotë të procedurave për kontrollin dhe sigurinë. Përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe shtete të mëdha si Rusia, Brazili, Irani dhe Tajlanda. Është interesante se Serbia dhe Kroacia nuk ndodhen në këtë listë.
Urdhri i ri kërkon nga zyrtarët konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që ka gjasa të varen nga fondet publike. Kritereve u shtohen rëndësi më e madhe, duke përfshirë një gamë të gjerë faktorësh: gjendjen shëndetësore, moshën e kandidatëve, njohjen e gjuhës angleze, gjendjen financiare dhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.
Aplikantët më të moshuar, personat me peshë të tepërt ose ata që kanë përdorur në të kaluarën ndonjë formë të ndihmës shtetërore, mund të përballen me refuzim automatik.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij shumëvjeçar për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët potencialë që do të bëheshin ngarkesë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tomy Pigott. Ai theksoi se qëllimi është të parandalohet hyrja e shtetasve të huaj që mund të marrin ndihmë sociale.
Edhe pse “rregulli për ngarkesën publike” ekziston prej dekadash, zbatimi i tij ndryshon sipas administratës. Administrata e Biden e lehtësoi këtë rregull në vitin 2022, duke kufizuar llojet e përfitimeve të shqyrtuara. Megjithatë, administrata e Trump tani e tërheq dhe zgjeron kufizimet, duke iu referuar Ligjit për Emigracion dhe Shtetësi.
Një nga arsyet për këtë masë drastike përmendet një skandal i madh në Minesota, ku prokurorët zbuluan keqpërdorim masiv të një programi të ndihmave financiare nga taksapaguesit, në të cilin ishin të përfshirë shumë shtetas somalezë. Për këtë arsye, Somalia është një nga vendet e para në listën e kufizimeve.
Përjashtimet nga pezullimi i ri do të jenë “shumë të kufizuara”. Kjo do të thotë se qytetarët e Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe vendeve fqinje, që kishin planifikuar të zhvendoseshin në SHBA, do të duhet të presin rezultatet e rishikimit të procedurave, pa një datë të qartë se kur mund të rifillojë procesi i lëshimit të vizave.
