Detaje të reja kanë dalë nga kompleksi ushtarak që presidenti amerikan do të ndërtojë në Gaza si pjesë e planit të Bordit të Paqes. Baza ushtarake e forcës së stabilizimit ndërkombëtar, pjesë e së cilës do të jenë edhe trupa shqiptare, do të jetë një kompleks prej rreth 350 hektarësh, i planifikuar për forcën shumëkombëshe që do të vendoset gjatë muajve të ardhshëm.
Kompleksi do të jetë i rrethuar nga 26 kulla vrojtimi të blinduara, të montuara në rimorkio, një poligon armësh të vogla, bunkerë dhe një depo për pajisje ushtarake për operacione. E gjithë baza do të rrethohet me tela me gjemba. Fortifikimi është planifikuar për një shtrirje toke të sheshtë në Gazën jugore.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizoi Bordin e Paqes që të krijojë një forcë të përkohshme ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Sipas OKB-së, ajo do të ngarkohet me sigurimin e kufirit të Gazës dhe ruajtjen e paqes brenda zonës. Gjithashtu pritet të mbrojë civilët dhe të trajnojë e mbështesë forcat policore palestineze të verifikuara.
Nuk është e qartë se cilat do të jenë rregullat e angazhimit të ISF-së nëse do të ketë luftime, bombardime të përsëritura nga Izraeli ose sulme nga Hamasi.
Përveç Shqipërisë, disa vende të tjera, përfshirë Indonezinë, Greqinë dhe Qipron, kanë deklaruar se do të dërgojnë trupa brenda kësaj force.
