SHBA-ja së shpejti do të fillojë të lëshojë pasaporta që përmbajnë imazhin e presidentit Donald Trump, ka thënë një zyrtar i Departamentit të Shtetit të martën.
Zyrtari ka theksuar se pasaporta “do të jetë pasaporta standarde që do të dalë nga Agjencia e Pasaportave në Uashington, kur të jetë e disponueshme” për ata që aplikojnë dhe i marrin pasaportat e tyre të reja personalisht në atë vend.
“Opsionet online ose vendndodhjet e tjera do të ruajnë dizajnin ekzistues të pasaportës”, ka shtuar ai.
Përdorimi i imazhit të Trumpit në pasaportat amerikane shihet si pjesë e një sërë nismash për shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
Ndryshe nga një monedhë përkujtimore apo një leje për parqet kombëtare, pasaporta amerikane është një dokument identifikimi i njohur ndërkombëtarisht, zakonisht me vlefshmëri 10-vjeçare.
Sipas një modeli paraprak, fytyra e Trumpit dhe nënshkrimi i tij në ngjyrë ari do të shfaqen në pjesën e brendshme të kapakut të pasaportës.
“Ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për 250-vjetorin e Amerikës në korrik, Departamenti i Shtetit po përgatitet të nxjerrë një numër të kufizuar pasaportash amerikane me dizajn të veçantë për të përkujtuar këtë rast historik”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
“Këto pasaporta do të përfshijnë art të personalizuar dhe imazhe të përmirësuara, duke ruajtur të njëjtat veçori sigurie që e bëjnë pasaportën amerikane një nga dokumentet më të sigurta në botë”, ka shtuar ai.
Lajmi fillimisht është raportuar nga The Bulwark, ndërsa Fox News ka publikuar për herë të parë një model të pasaportës së re.
Departamenti i Shtetit pritet të fillojë lëshimin e këtyre pasaportave gjatë verës, por ende nuk është bërë e ditur sa prej tyre do të prodhohen.
Ndërkohë, edhe institucione të tjera federale kanë prezantuar elemente përkujtimore për 250-vjetorin e SHBA-së. Departamenti i Brendshëm ka njoftuar për “dizajne të reja përkujtimore” për lejet e parqeve kombëtare, ku njëra prej tyre paraqet edhe fytyrën e Trumpit krahas asaj të George Washingtonit.
Po ashtu, Komisioni i Arteve të Bukura, i emëruar nga Trumpi, ka miratuar një monedhë përkujtimore për këtë përvjetor, që përmban imazhin e presidentit.
Vitin e kaluar, emri i Trumpit është vendosur gjithashtu në institucione si Qendra Kennedy dhe Instituti Amerikan i Paqes.
