Personeli amerikan sekuestroi një anije cisternë pranë brigjeve të Venezuelës të shtunën, ndërsa administrata Trump vazhdon të ushtrojë presion mbi Karakasin. Ky është rasti i dytë i ndalimit të një anijeje pranë Venezuelës këtë muaj, pas njoftimit për një “bllokadë” të cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Cisterna e sekustruar ishte me flamur panamez dhe transportonte naftë venezuelase me destinacion Azinë, por sipas zyrtarëve, nuk ishte nën sanksionet amerikane. Ndalimi u krye pa kundërshtim nga ekuipazhi dhe u drejtua nga Roja Bregdetare Amerikane me mbështetjen e ushtrisë amerikane, në ujëra ndërkombëtare.
SHBA ka intensifikuar presionin mbi Venezuelën gjatë muajve të fundit, përfshirë zhvendosjen e mijëra trupave, sulme ndaj anijeve të dyshuara për drogë dhe kërcënime kundër presidentit Nicolás Maduro. Sipas raportimeve, sulmet amerikane kanë shkaktuar vdekjen e 104 personave dhe shkatërrimin e 29 anijeve të dyshuara për trafikun e drogës.
Qeveria e Venezuelës e ka kritikuar bllokadën, duke e cilësuar si një “kërcënim të pamatur dhe serioz”.
