Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, udhëtoi në Moskë këtë javë me qëllim për ta paralajmëruar Rusinë të mos ndërmerrte sulme ndaj vendeve të NATO-s, veçanërisht Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj. Vizita e Ratcliffe më 25 gusht, e para e tij e bërë publike në Rusi qëkurse u emërua në krye të CIA-s nën presidentin Donald Trump, vjen në një kohë kur shqetësimet për agresionin rus janë në rritje në vendet baltike. Rusia e ka konfirmuar vizitën.

Sergei Naryshkin, drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës të Rusisë, tha se kishte zhvilluar një “takim pune” me drejtorin e CIA-s. Ai nuk dha hollësi të tjera, duke thënë vetëm se ata diskutuan çështje të ndjeshme, të paspecifikuara. Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, erdhi në Moskë për bisedime me agjencitë e inteligjencës.

“Ka pasur kontakte përmes shërbimeve të inteligjencës. Mund t’ju them se nuk ka pasur takime me presidentin rus. Dhe kjo është e tëra që mund të them për këtë çështje. Sigurisht, Presidenti Putin informohet menjëherë për gjithçka. Kontaktet përmes shërbimeve speciale janë një zhvillim pozitiv, një proces pozitiv. Dhe këto kontakte shpesh vazhdojnë edhe gjatë momenteve më të vështira në marrëdhëniet tona dypalëshe. Megjithatë, është ende shumë herët për të thënë se në çfarë mase kjo do të ndikojë në procesin e përgjithshëm të nxjerrjes së marrëdhënieve tona dypalëshe nga kriza e thellë në të cilën ato ndodhen aktualisht.” – Dmitry Peskov, Zëdhënës i Kr emlinit.

Udhëheqësit e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të gjitha vende anëtare të NATO-s, kanë paralajmëruar prej kohësh për agresionin rus. Vitet e fundit, Rusia ka zhvilluar një fushatë hibride kundër vendeve baltike, duke përfshirë testimin e hapësirës ajrore, luftën elektronike, sabotazhin dhe operacionet kibernetike.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë konfirmuan për REL-in se Uashingtoni do t’i njoftojë aleatët për hollësitë e vizitës së Ratcliffe javën e ardhshme. Shefi i CIA-s u pa duke dalë nga krahu perëndimor i Shtëpisë së Bardhë më 26 gusht, së bashku me shefin e Pentagonit, Pete Hegseth, dhe kryetarin e Shefave të Shtabeve të Përgjithshme, gjeneralin Dan Caine.

Elbridge Colby, nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat, do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e aleancës në Bruksel më 29 gusht.

Më pas, Colby do të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut me ambasadorët e vendeve aleate.

The post Shefi i CIA-s në Moskë, paralajmërim Rusisë për vendet e NATO-s appeared first on Alsat.