Policia e Kosovës ka njoftuar se është shpëtuar shoferi në Han të Elezit pasi një mur zuri automjetin ku ai ndodhej.
Përfaqësuesi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se një mur mbrojtës është shembur dhe ka rënë mbi një veturë pasagjerësh, ku fatmirësisht ndodhej vetëm shoferi. Menjëherë pas alarmit, forcat e Emergjencës dhe Njësia e Zjarrfikësve nga Hani i Elezit janë njoftuar dhe kanë mbërritur në vendngjarje për të nxjerrë personin nga vetura.
“Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Han të Elezit. Rreth orës 22:00, nga njësia e zjarrfikësve personi është nxjerrë nga vetura, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ka qenë me vetëdije dhe nga njësia emergjente është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit”, ka njoftuar Kanun Veseli.
