Robotët humanoidë që dhanë shfaqje të ushtrimeve gjimnastikore tradicionale së bashku me adoleshentët në Galanë e Festës së Pranverës 2026 të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), kanë ngjallur diskutime të nxehta në shumë media të huaja, të cilat u mahnitën nga arritjet e vrullshme të Kinës në fushën e inteligjencës artificiale.

Në një artikull të publikuar të martën në uebsajtin evropian “Modern Diplomacy” theksohet se demonstrimi nga Kina i teknologjisë së robotëve humanoidë nëpërmjet Galasë së Festës së Pranverës, është një simbol i përparimit teknologjik kombëtar dhe strategjisë industriale. Sipas artikullit, kjo pjesë e galasë nxjerr në pah ambiciet e Kinës në robotikën humanoide, inteligjencën artificiale dhe në prodhimin e brezit të ardhshëm. Katër kompani robotike demonstruan robotë humanoidë që janë në gjendje për të kryer lëvizje të arteve marciale, vallëzim të sinkronizuar dhe shfaqje në ndërveprim me aktorë.

Në artikull vihet në dukje se në një shfaqje të ushtrimeve gjimnastike tradicionale ushu të koreografuar me kujdes në Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së, robotët humanoidë treguan lëvizje komplekse dhe simuluan teknika të “grushtit të dehur”. Shfaqja demonstron përmirësimin e aftësive kryesore robotike, si bashkërendimi midis shumë robotëve, kontrolli i ekuilibrit e rimëkëmbja pas defekteve, dhe gjithashtu demonstron se si i integron Kina politikën industriale, përhapjen kulturore dhe zhvillimin e tregut në një strategji të unifikuar novatore.

Në artikull theksohet se integrimi masiv i softuerëve të inteligjencës artificiale, harduerëve robotikë dhe manifakturës e ka pajisur Kinën me aftësinë për të vendosur standarde në fushën e automatizimit të brezit të ardhshëm. Galaja e Festës së Pranverës lëshon një sinjal që robotët humanoidë kinezë po kalojnë nga faza e shfaqjes artistike në aplikime praktike dhe se Kina synon gjithashtu të drejtojë këtë tranzicion.
Agjencia turke e lajmeve “Anadolu” raportoi se në Galanë e Festës së Pranverës të këtij viti, robotë të ndryshëm, duke përfshirë robotët humanoidë, kryen parkurin e parë të vazhdueshëm me kapërcim kaluçi të stilit të lirë në botë, kërcimin e parë në ajër, kërcime të vazhdueshme me një këmbë, një kërcim prapa me dy hapa duke u mbështetur në mur dhe rrotullimin e parë gjigant “Airflare”, kurse në galanë e vjetshme, robotët kryen vetëm disa lëvizje të thjeshta duke rrotulluar shaminë. Në raport theksohet se këto performanca demonstrojnë plotësisht zhvillimin e shpejtë të Kinës në fushën e robotëve humanoidë.

Ndërsa duke iu referuar fjalëve të Georg Stieler-it, përgjegjësi i shërbimeve të robotëve dhe të automatizimit të firmës së konsulencës “Stieler”, “Reuter” njoftoi se gjatë vetëm një viti, përmirësimi i manovrueshmërisë së robotëve kinezë ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai vuri në dukje që aftësitë e shkëlqyera të kontrollit të lëvizjes së robotëve tregojnë se sa të fokusuara janë kompanitë kineze të teknologjisë në zhvillimin e “trurit” të robotëve, që do të thotë se softueri i fuqizuar nga AI mund të ndihmojë robotët të kryejnë detyra të hollësishme operacionale, të cilat mund të luajnë rol real në një mjedis fabrike.
Në raport thuhet gjithashtu se shfaqjet e robotëve, si vrapimi maratonë, ushtrimet tradicionale ushu, rrotullimet prapa etj., tregojnë që Kina e ka vendosur robotikën dhe inteligjencën artificiale në thelb të strategjisë së saj “inteligjencë artificiale + prodhim”.
Në njoftimin e “Euronews TV” thuhet që në Galanë e Festës së Pranverës të Kinës 2026, robotët me nivele të avancuara të inteligjencës artificiale u bënë ndër interpretuesit më tërheqës dhe më të mrekullueshëm, duke mahnitur audiencën me shfaqjen e tyre novatore në skenë dhe aftësitë e shkëlqyera atletike.
Krahas tyre, “24 News TV” i Francës raportoi që shfaqja e robotëve humanoidë në Galanë e Festës së Pranverës të Kinës është bërë një nga pikat më tërheqëse, ndërsa industria robotike në Kinë në zhvillim të shpejtë ka tërhequr vëmendje të madhe.
