Shifra rekord në Toksikologji: Rritje alarmante e helmimeve nga detergjentët

Shifra rekorde të helmimit nga detergjentet. Çdo vit, deri në 150 raste regjistrohen në Klinikën e Toksikologjisë. Detergjentet mund të shkaktojnë dëmtime serioze në pjesën e sipërme të sistemit digjestiv, në organet tretëse, si dhe lëndime në lëkurë dhe sy. Te fëmijët, dëmtimet janë shpesh më të rënda dhe në shumë raste kërkojnë shtrirje të menjëhershme në spital dhe trajtim intensiv.

“Ne për fat të keq jemi shtet që ka numrin më të madh të këtyre helmimeve në Evropë. Nëse një shtet si Norvegjia, Finlanda ka 100 helmime për 20 vite, Maqedonia ka mes 100-150 helmime vetëm për një vit. Kështu që ne absolutisht jemi rekorder në Evropë në bazë të këtyre helmimeve”, tha Andon Çibishev, toksikolog.

Helmimet nga detergjentet janë veçanërisht të rrezikshme kur ndodhin përmes gëlltitjes, pasi mund të shkaktojnë dëmtime serioze në traktin digjestiv. Rastet kur detergjentet prekin sytë mund të çojnë në dëmtime të rënda dhe madje në humbje të shikimit. Ndërsa dëmtimet e lëkurës, edhe pse të dhimbshme, zakonisht janë plagë sipërfaqësore që shërohen më lehtë me trajtim të duhur.

“Helmimet përmes gëlltitjeve janë më të rrezikshme, mund të bëjnë shumë dëmtime të rënda në sistemin e lartë digjestiv që më pas përfundojnë me komplikime serioze, që fillimisht mund ta rrezikojnë jetën, të shkaktojnë komplikime të caktuara që do ta dëmtojnë kualitetin e jetës ose mund të ketë komplikime që mund të kërkojnë shtrije të spital, operacione e kështu me radhë”, shtoi Andon Çibishev, toksikolog.

Personat që kanë përdorin detergjentet dhe dyshojnë për helmim duhet të paraqiten menjëherë në klinikën më të afërt. Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht në përdorimin dhe ruajtjen e detergjenteve, duke theksuar se ndërgjegjësimi dhe reagimi në kohë mund të shpëtojnë shëndetin dhe jetën.