Është shkatërruar tregu i zi i barnave onkologjike për pacientët me kancer – pohon kreu i Fondit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në intervistë për Radio Europa e Lirë. Rasti kriminal në Onkologji ishte për shitjen e barnave jashtë vendit dhe unë me përgjegjësi pohoj se askush në Maqedoni nuk pagoi për këtë – thotë ai.
“Kjo është hera e parë në Maqedoni të ketë proces në shëndetësi për këtë lloj krimi, sepse të gjitha rastet e krimeve të caktuara në shëndetësi kanë qenë ose për ryshfet individual ose për gabime të rënda mjekësore. Deri më tani, nuk kemi pasur një ndjekje penale për një krim të tillë dhe mendoj se është një mesazh për të gjithë sektorin e shëndetësisë se nëse ka krime të tilla, ato duhet të ndalen, do të ndiqen penalisht. Mosndëshkimi në shëndetësi është për shkak të frikës për përndjekje penale të mjekëve. Mendoj se kjo është e pranishme në aspektin kulturor”, theksoi Sasho Klekovski – drejtor i FSSH.
Klekovski thotë se Klinika e Onkologjisë mori një buxhet dyfish më të madh dhe financat nuk mund të jenë më problem. Dhe ajo që po ndodh aktualisht si mungesë e ilaçeve është vetëm për shkak të problemit me distribucion. Për momentin, nuk ka asnjë ilaç që mungon dhe për të cilin nuk ka zëvendësim – pohon Klekovski.
“Me 10 dollarë për kontribute shëndetësore, nuk mund të pritni kujdes shëndetësor si në Suedi dhe ilaçet që janë të disponueshme në Suedi”, shtoi drejtori i FSSH, Sasho Klekovski.
Prokuroria ngriti dy akuza në rastin e Onkologjisë. Ish-drejtori mjekësor Nino Vasev dhe tre onkologë të tjerë akuzohen për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve dhe krime të rënda kundër shëndetit të njeriut. Dëshmia e ekspertëve nga Sllovenia tregoi se 29 pacientë me kancer u trajtuan në mënyrë të papërshtatshme, gjë që ua përkeqësoi shëndetin. Të tjerë morën terapi biologjike të shtrenjtë në një fazë kur ajo nuk mund t’i ndihmonte. Akuza tjetër është kundër Vasev dhe ish-drejtorit organizativ Nuhi për abuzim, mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Provat treguan se nëntë pacientë morën një pjesë të ilaçeve vetëm në letër. Hetimi nuk përcaktoi se ku përfundoi teprica e terapisë.
