Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Jorida Tabaku ka vizituar Universitetin e Tetovës, ku mbajti një ligjëratë me temën “Integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor: sfidat dhe perspektivat – rasti i Shqipërisë”. Tabaku tha se shkëmbimi i eksperiencave në procesin e integrimit, ishte një ndër arsyet kryesore të vizitës së sotme.

“Qëllimi i ligjëratës është së pari njëherë bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës, për rolin që kanë jo vetëm të transmetimin e gjuhës shqipe, por mbajtjen e një tradite të arsimit të lartë që Tetova e ka perfeksionuar dhe së dyti është shkëmbimi i eksperiencave në çështjen e integrimit. Nuk ka vend më të mirë ku të diskutohet procesi integrimeve sesa në universitete. Studentët këtu janë jo vetëm e ardhmja e Maqedonisë, por janë njëkohësisht edhe ato që do punojnë në procesin e integrimit, veç mirë na bën që të shkëmbejmë eksperiencë dhe unë mendoj të vazhdoj bashkëpunimi mes universitetit e parlamentit ku pedagogët, pse jo, t’i sjellin në praktikë”, u shpreh Jorida Tabku – deputete e Kuvendit të Shqipërisë.