Një zbulim shqetësues është bërë nga shkencëtarët e Akademisë Rumune në një shpellë të lashtë akulli, ku kanë izoluar një lloj bakteri të ngrirë për rreth 5,000 vjet, i cili rezulton të jetë rezistent ndaj të paktën 10 antibiotikëve të zakonshëm. Bakteri, i quajtur Psychrobacter SC65A.3, u gjet në shpellen Scarisoara, dhe sipas studiuesve mund të përbëjë një kërcënim të madh nëse ndonjëherë lëshohet jashtë akullit, veçanërisht duke pasur parasysh ngrohjen globale.

“Pavarësisht origjinës së tij të lashtë, lloji bakterial shfaq rezistencë ndaj shumë antibiotikëve modernë dhe mbart mbi 100 gjene të lidhura me rezistencën,” tha Dr. Cristina Purcarea, autore e studimit. “Nëse shkrirja e akullit liron këto mikrobe, këto gjene mund të përhapen në bakteret moderne, duke shtuar sfidën globale të rezistencës ndaj antibiotikëve.”. Në laborator, ekipi analizoi gjenomin e baktereve dhe zbuloi 11 gjene të afta të vrasin ose pengojnë rritjen e baktereve, kërpudhave dhe viruseve të tjera, si dhe rreth 600 gjene me funksione të panjohura, që mund të ofrojnë njohuri të reja mbi mekanizmat biologjikë.

Testimet treguan se Psychrobacter SC65A.3 është rezistent ndaj 28 antibiotikëve nga 10 klasa të ndryshme, duke përfshirë trajtimet e përdorura kundër infeksioneve të traktit urinar, mushkërive, lëkurës, gjakut dhe sistemit riprodhues, si trimetoprimi, klindamicina dhe metronidazoli. Shkencëtarët paralajmërojnë se megjithëse këto baktere të lashta janë të rëndësishme për kërkimin shkencor dhe mjekësor, masat rigoroze të sigurisë në laborator janë thelbësore për të parandaluar përhapjen e tyre. Ky zbulim nënvizon një sfidë të re për mjekësinë moderne dhe tregon se ndryshimet klimatike mund të çojnë në rizgjimin e mikrobeve të lashta me potencial të madh rreziku.

The post Shkencëtarët zbulojnë “superbakterin” 5,000-vjeçar rezistent ndaj antibiotikëve appeared first on Alsat.