Shkëndija e nisi mbarë stinorin pranveror duke mposhtur kampionin aktual, Struga Trim Lum, me rezultat 2-0 në Tetovë. Me këtë fitore, “kuqezinjtë” i shkaktuan struganëve humbjen e parë si mysafirë këtë sezon dhe njoftuan zyrtarisht rikthimin e fuqishëm në garën për titullin e PMFL-së.

Portieri i Strugës, Angeleti, ishte figura qendrore në 45 minutat e para, duke pritur goditje vendimtare nga Besart Ibraimi dhe Maliqi.

Shkëndija e nisi pjesën e dytë me sulme të njëpasnjëshme, por rezistenca e mysafirëve u thye vetëm në 15 minutat e fundit.

Në minutën e 78-të, pas një goditjeje të fortë të Ibraimit, topi i kthyer nga portieri përfundoi te Florian Spahiu, i cili nuk gaboi nga afërsia për 1-0.

Fitoren e Shkëndijës e vulosi përforcimi i ri, Ndzengue, në minutën e 88-të, pas një asisiti të shkëlqyer nga Spahiu pas një kundërsulmi të shpejtë.

Me këtë performancë bindëse, Shkëndija tregon se është e gatshme për ta rikthyer trofeun në Tetovë, ndërsa Struga Trim Lum do të duhet të kërkojë pikët e humbura në xhirot e ardhshme për të ruajtur kryesimin.

The post Shkëndija triumfon në derbi ndaj Strugës dhe rihap garën për titull appeared first on Alsat.