Shkupi është në vendin e 23-të sipas ndotjes së ajrit në nivel botëror, dhe ka ajrin e tretë më të ndotur në Evropë pas Sarajevës dhe Prishtinës, sipas platformës IQ Air.
Dy ditë më parë, Shkupi ishte qyteti më i ndotur në botë, ku janë vërejtur 263 njësi të grimcave të dëmshme, dhe për këtë arsye të sëmurëve kronikë dhe fëmijëve nuk u rekomandohet të dalin jashtë.
Në ndërkohë, nga Qyteti i Shkupit informuan se po bëhen kontrolle inspektuese të intensifikuara dhe shqiptohen gjoba. Nga atje akuzojnë se nga 14 institucione përgjegjëse për mjedisin jetësor, vetëm ata janë në terren.
“Deri më tani vetëm qyteti i Shkupit reagon çdo ditë, ndërsa të tjerët nuk veprojnë edhe pse e kanë obligim ligjor. Gjatë javës së kaluar, inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit dhe inspektorët komunal kanë shqiptuar gjoba ndaj më shumë se 20 autorëve, ndërsa çdo javë janë shqiptuar mesatarisht nga 20 deri në 30 sanksione”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Zëvendësministrja e Ambientit, Ane Lashkoska tha se masat afatshkurta dhe afatgjata të miratuara nga Qeveria janë në fuqi dhe apeloi komunat dhe të gjitha institucionet kompetente të përfshihen në aktivitetet për trajtimin e ndotjes së ajrit. Ajo tregoi se nga çka me së shumti ndotet ajri.
“Jo vetëm ata që e kanë A dhe B të integruar por edhe ata që punojnë me elaborate të miratuara nga ministria e ambientit jetësor që janë punëtoritë e ndryshme. Për fat të keq materiali i mbeturinave, vaji i djegur që e përdorin për ngrohje dhe në atë mënyrë ndotet ambienti jetësor”, u shpreh Ane Leshkoska – zëvendësministre e Ambientit Jetësor.
Nga Qyteti i Shkupit njoftuan se do të dënohen të gjithë ata që nuk respektojnë ligjin, ndotin mjedisin dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
