
Shkupi sërish u rendit ndër qytetet më të ndotura në rajon. Harta e IQ Air evidentoi përqendrime jashtëzakonisht të larta të grimcave të dëmshme në disa zona të Shkupit.
Të dhënat tregojnë se në disa prej këtyre pikave, ajri mbrëmë ka qenë në nivel rreziku, duke u shndërruar në kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve.
Sipas qytetarëve është koha të vendosen kontrolle të rrepta për ndotjen e ajrit.
“Të gjitha sëmundjet janë nga ajri i papastër, kur është i pastër nuk ka sëmundje, ja përse nëpër fshatra janë më të shëndetshëm sepse kanë ajrin e pastër e këtu në qytet..Gjithë të sëmurë njerëzit, shumica neper mjek janë, e gjithë ishte nga mbeturinat dhe më mbeti ashtu, nuk shërohen qytetarët, ja unë i kam fëmijët të sëmurë në shtëpi”, tha një qytetar.
“Po, çdo natë ndjehet aroma, e ndoshta është edhe nga ajo që ndezin, nga Drislla apo nuk e di”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Ajri nuk bën, nuk e di nga është, a nga veturat që ndotin apo nga mbeturinat. Çfarë duhet të ndërmerret? Duhet të vendosen kontrolle për këto punë, të vendosen kontrolle, duhet të dënohen patjetër ato që djegin mbeturina”, theksoi një qytetar.
“Ajri është shumë i ndotur në Shkup dhe duhet të ketë kontrolle sepse djegin goma dhe mbeturina”, u shpreh një qytetar.
Sipas matjeve të fundit, pika më kritike me indeks të ajrit të ndotur në Shkup, mbrëmë ishte në Novo Lisiçe.
Ekspertët dhe institucionet shëndetësore, u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur ajri është i ndotur, të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
Edhe Nisma qytetare “Qytet i Gjelbër Human” vlerëson Shkupi po përballet me ndotje të lartë, ndërsa shërbimet kompetente nuk bëjnë mjaftueshëm për të parandaluar problemin. / Alsat.mk

