Prokuroria propozon masa kujdesi ndaj 47-vjeçarit, i cili dje pas mesnate me automjet ka goditur një këmbësor në Shkup, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se në masat e kujdesit përfshijnë marrjen e përkohshme të patentë shoferit dhe ndalesë për vozitje të automjetit, ndalesë për largimin nga vendbanimi ose qëndrimi, detyrim i të dyshuarit që të paraqitet te personi i caktuar zyrtar në gjykatë, si dhe marrje të përkohshme të pasaportës.
Siç bëri të ditur sot Prokuroria Publike, kundër të dyshuarit është nisur hetim sepse ekziston dyshimi se ka kryer – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.
“Më 2 mars, pak pas mesnate, i dyshuari, pjesëmarrës në komunikacion, në rrugët publike ka qenë duke vozitur një veturë ‘Mercedes’ në korsinë e majtë të rrugës ‘Shën Qirili dhe Metodi’. Por gjatë kësaj ai nuk i është përmbajtur rregullave dhe në këtë mënyrë ka rrezikuar trafikun publik, duke rrezikuar kështu jetën dhe trupin e njerëzve me vetëdije. Ai ka drejtuar automjetin me alkool prej 1,35 promilë, me shpejtësi më të madhe sesa e lejuara dhe nuk ka ulur shpejtësinë dhe nuk ka ndaluar në vendkalimin e shënuar të këmbësorëve. Për këto arsye, pjesa e përparme e automjetit ka goditur në anën e majtë të trupit të të dëmtuarës, e cila si këmbësore ka qenë duke kaluar rrugën në vendkalimin e këmbësorëve. Nga goditja viktima ka pësuar lëndime të rënda – frakturë e gjymtyrës së poshtme”, njoftoi sot Prokuroria Publike.
Masat e kujdesit, siç theksojnë nga PP, propozohen me qëllim të sigurimit të të dyshuarit gjatë procedurës dhe parandalimit të përsëritjes së veprës.
