Nga Shoqata e Influencuesve dhe Krijuesve të përmbajtjeve Digjitale njoftojnë se kanë hedhur posht Rregulloren e ASHMAA-së dhe kanë propozuar Kod sipas praktikave evropiane, transmeton TV21.
Nga Shoqata thonë se aktet e propozuara nuk ofrojnë zgjidhje dhe transparencë, por siç shtojnë lënë hapësirë për pasiguri juridike, interpretime të ndryshme dhe kaos shtesë në sferën online.
Reagimi i plotë i Shoqata e Influencuesve dhe Krijuesve të Përmbajtjeve Digjitale
“Shoqata e Influencuesve dhe Krijuesve të Përmbajtjeve Digjitale informon opinionin se në tërësi e hedh poshtë Rregulloren dhe Udhëzuesin e miratuar nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), duke vlerësuar se ato dalin jashtë kornizave ligjore dhe nuk janë në përputhje me realitetin e hapësirës digjitale.
Sipas qëndrimit të influencuesve, aktet e propozuara nuk ofrojnë zgjidhje sistematike për transparencën dhe përgjegjësinë në komunikimin online, por hapin hapësirë për pasiguri juridike, interpretime të ndryshme dhe kaos shtesë në sferën online. Në vend që të kontribuojnë në rregullimin e fushës, ato krijojnë rrezik për zbatim selektiv dhe kufizim të lirisë krijuese, pa bazë të qartë ligjore dhe pa konsultim të gjerë paraprak me palët e interesuara.
Shoqata thekson se influencuesit nuk i shmangen përgjegjësisë, paguajnë rregullisht tatime në Maqedoni – përkundër të pavërtetave që janë përhapur në media gjatë periudhës së fundit – dhe mbështesin nevojën për transparencë, shënim të qartë të përmbajtjeve komerciale dhe respektim të standardeve etike. Megjithatë, ata vlerësojnë se këto çështje duhet të rregullohen përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me zgjidhje në përputhje me ligjet dhe praktikat evropiane, e jo përmes akteve që tejkalojnë kompetencat e përcaktuara.
Në përputhje me analizën evropiane të përgatitur mbi mënyrën se si kjo çështje është zgjidhur në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shoqata i ka dorëzuar një propozim ministrit për Transformim Digjital, me të cilin sugjerohet miratimi i një Kodi të bazuar në parimet e vetërregullimit dhe bashkërregullimit. Në shumicën e vendeve anëtare, çështja e marketingut të influencuesve rregullohet përmes udhëzimeve të qarta për shënimin e përmbajtjes së sponsorizuar, edukimit dhe bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe institucioneve, e jo përmes akteve nënligjore restriktive dhe të imponuara në mënyrë të njëanshme.
Kodi i propozuar synon të vendosë rregulla të qarta, të zbatueshme dhe proporcionale që do të sigurojnë mbrojtjen e interesit publik, veçanërisht të konsumatorëve dhe të miturve, duke respektuar njëkohësisht lirinë e shprehjes dhe specifikat e ekonomisë digjitale. Sipas Shoqatës, kjo qasje përfaqëson modelin e vetëm të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane për rregullimin e hapësirës online.
Shoqata e Influencuesve dhe Krijuesve të Përmbajtjeve u bën thirrje institucioneve që të tërheqin Rregulloren dhe Udhëzuesin kontestues dhe të nisin një dialog të hapur dhe transparent me të gjithë aktorët relevantë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që do të sjellë siguri juridike, rregulla të qarta dhe një kornizë të qëndrueshme për zhvillimin e komunikimit digjital në Maqedoni”.
