Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka shprehur shqetësim serioz lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë. Sipas tyre, këto ndryshime përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë universitare, e cila është kategori kushtetuese dhe pjesë e pandashme e rendit juridik dhe demokratik të shtetit. ASH thotë se vendosja e strukturave të reja drejtuese me ndikim politik, mbi organet akademike ekzistuese, cenon parimin e vetëqeverisjes universitare dhe e zhvendos vendimmarrjen nga komuniteti akademik drejt pushtetit ekzekutiv.
“ASH vlerëson se krijimi i mekanizmave të centralizuar për përcaktimin e financimit universitar, përfshirë përcaktimin e shumës totale të mjeteve për universitetet, përbën shkelje të parimeve të menaxhimit financiar publik dhe anashkalon procedurat e përcaktuara me Ligjin për Buxhetin. Financimi, në këtë formë, rrezikon të shndërrohet në instrument kontrolli politik dhe jo në mjet për zhvillim akademik dhe kërkim shkencor”, thotë ASH-Taravari.
Po ashtu, ndryshimet e propozuara në procedurat e rekrutimit dhe avancimit akademik nuk garantojnë rritje të cilësisë, por krijojnë kritere përjashtuese dhe selektive që dëmtojnë veçanërisht stafin e ri akademik.
Krahas politikës, edhe profesorë universitarë kanë kritikuar ndryshimet e parapara në Ligjin për arsimin e lartë, duke vënë në dukje se ato mund të cenojnë autonominë universitare. Kritikohet bartja e miratimit të statuteve nga Ministria tek Qeveria, ndryshimet në përbërjen e Këshillit Universitar që neutralizojnë shumicën akademike dhe vendosja e kushteve të rrepta për botimin e dy punimeve shkencore pa një infrastrukturë të qartë. E pyetur për këto, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, siguroi se me këtë ligj autonomia e universiteteve assesi nuk është prekur!
“Por universitetet duhet të jenë të vetëdijshme, që një pjesë e madhe e tyre duket të jenë transparente ndaj Qeverisë, për mjetet që i marrin nga Qeveria. Këtu ne aspak nuk ndërhyjmë tek autonomia, por nga tani e tutje do të kërkojmë transparencë. Kjo ishte paraparë edhe me ligjin paraprak nga viti 2018, i profesoreshës Renata Deskoska, por asnjëherë nuk është vënë në jetë”, deklaroi Vesna Janevska.
Janevska po ashtu tha se aktualisht nuk ekzistojnë kushte për një përgjigje pozitive ndaj kërkesave për arsimin e lartë falas, duke theksuar se bëhet fjalë për një temë serioze financiare dhe sistemike, e cila nuk mund të zgjidhet pa një bazë të qëndrueshme. Theksoi se Qeveria aktualisht është e fokusuar në stabilizimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor, përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore dhe sigurimin e zgjidhjeve të qëndrueshme, dhe jo në masa populiste që mund të ngarkonin buxhetin.
