Shtatë persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e valës së hershme të të nxehtit ekstrem që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore. Ndërkohë, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë regjistruar temperatura rekord për muajin maj.

Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, deklaroi për televizionin TF1 se shtatë vdekje janë lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me temperaturat e larta.

Sipas Meteo France, temperatura më e lartë e regjistruar të hënën ishte 37.1°C pranë Hossegor, në jugperëndim të vendit, ndërsa në shumë rajone temperaturat pritet të kalojnë 36°C edhe gjatë ditëve në vijim. Agjencia bëri të ditur se kjo ka qenë dita më e nxehtë e muajit maj që nga fillimi i matjeve meteorologjike, me një mesatare kombëtare prej 24.4°C, duke thyer rekordin e vitit 1944.

Edhe Mbretëria e Bashkuar përjetoi temperatura të pazakonta për këtë periudhë. Met Office raportoi se në Kew Gardens, në jugperëndim të Londrës, temperatura arriti në 34.8°C, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në maj. Sipas agjencisë britanike, këto temperatura janë të rralla edhe gjatë verës, e jo më në pranverë.

Në Spanjë, shërbimi meteorologjik Aemet paralajmëroi se temperaturat prej 36 deri në 38°C do të vazhdojnë në disa lugina kryesore të vendit, ndërsa në disa zona mund të arrijnë deri në 40°C.

Autoritetet franceze kanë vendosur tetë departamente në alarm portokalli për shkak të vapës, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të marrin masa mbrojtëse. Kjo është hera e parë që sistemi kombëtar i alarmit për vapë aktivizohet në muajin maj që nga krijimi i tij në vitin 2004.