Ndryshim i kushtetutës, ndryshime në disa ligje të cilat kanë të bëjnë me punën e Këshillit Gjyqësor, si dhe ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, janë një pjesë e gjërave që duhen bërë për përmirësimin e gjyqësorit, d.m.th. të ketë drejtësi për të gjithë. Besimi i ulët i qytetarëve tek gjyqësori është tregues i mjaftueshëm se çfarë gjyqësor ka në vendin tonë. Vërejtjet më të mëdha të Komisionit Europian janë se gjyqësori është i ngadaltë, i korruptuar dhe ligjet zbatohen në mënyrë selektive. Ndikimi politik vazhdon ta varrosë pavarësinë e gjykatave.
“Të mos gënjehemi, nuk ka reforma që nuk janë të dhimbshme, por as reformë si kjo që është aq e nevojshme. Një gjyqësor që nuk e ka besimin e qytetarëve është gjyqësor që ka dështuar në detyrën e tij themelore, të garantojë parimin e sundimit të së drejtës. Dua të them se do të bëjmë reformat e nevojshme, sado të vështira të jenë dhe nuk do të ndalemi këtu derisa qytetarët të fillojnë të shikojnë me besim të plotë gjykatat në procedurat për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, tha ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Ata që janë kritikuar më së shumti në periudhën e kaluar janë anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Kryetarja aktuale e Këshillit thotë se disa nga kritikat janë të arsyeshme, e disa janë politike dhe të përgjithshme.
“Është e pakontestueshme që në periudhën e kaluar ka pasur kritika të vazhdueshme ndaj Këshillit Gjyqësor dhe duhet të jem e sinqertë, disa nga kritikat janë të arsyeshme. Por një pjesë e të njëjtave, të paktën ky është perceptimi im, janë populiste dhe për arsye personale ose për qëllime të caktuara. Ata të parët, të arsyeshmet, Këshilli Gjyqësor i detektoi, në mënyrë intensive ka ndërmarrë veprime dhe aktivitete dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në periudhën e ardhshme për tejkalimin e tyre. Nuk do të doja të komentoja për llojin e dytë të kritikave”, deklaroi Vesna Demeva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE-së janë kyçe në zbatimin e reformave, thotë kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.
“Rekomandimet janë baza për reformat e nevojshme në Këshillin Gjyqësor dhe ato duhen parë nga prizma e rrugës evropiane të shtetit. Ky është thelbi dhe qëllimi i tyre, për këto arsye vetë dinamika dhe vazhdimësia e zbatimit të tyre është kyçe”, tha Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme.
Ndryshe, sipas Tanja Çaçarova-Ilievska, anëtare e Këshillit Gjyqësor, janë zbatuar më shumë se 2/3-tat e 17 rekomandimeve të Misionit vlerësues për Këshillin Gjyqësor. E gjithë kjo u tha në debatin e organizuar nga Instituti për të Drejtat e Njeriut me temën “Këshilli Gjyqësor i RMV-së – Sfidat dhe rekomandimet për sigurimin e një gjyqësori të pavarur”.
