Gazetar: Suad Bajrami
Javën e ardhshme Qeveria do t’i dorëzojë në Kuvend, emrat e rinj të Koalicionit VLEN që do të propozohen për funksionet e larta në ekzekutiv. Kryeministri Hristijan Mickoski, thekson që kuadrot e VLEN-it do të emërohen përpara Kongresit të paralajmëruar të VMRO-DPMNE-së për më 6 dhjetor, nga i cili pritet që të dalin propozime të reja për zëvendësimin e krerëve në disa resorë të ekzekutivit.
“Në fillim të javës së ardhshme do t’i dorëzojmë emrat. Pastaj për tjerët, pasi të mbarojë kongresi, ashtu? Pastaj kemi plan të aktiviteteve që planifikojmë t’i bëjmë edhe brenda partisë edhe pastaj në institucione, kështu që, të shkojmë hap pas hapi”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Propozimi zyrtar i VLEN-it është që zëvendëskryeministër i parë të jetë deputeti aktual, nga radhët e Alternativës Bekim Sali, i cili do të ulet në karrigen që paraprakisht e ka mbajtur kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, ndërsa pozicioni mbeti bosh pasi ai u bë kryetar i Çairit. Meqë pozicioni i tillë nuk ka resor, jozyrtarisht flitet që Sali të marrë resorin për Qeverisje të Mirë, të cilën e udhëheqë Arben Fetai nga ASH.
Nga ana tjetër, Fetai do të propozohet për ministër të Integrimeve, të cilin post aktualisht e mban Orhan Murtezani nga Alternativa. Prej largimit të Arben Taravarit nga Qeveria, pozicioni i zëvendës ministrit të Mbrojtjes ka mbetur bosh. Pikërisht, ky mund të jetë vend i garantuar për Murtezanin.
Ndonëse këto kombinatorika tanimë një periudhë të gjatë kalkulohen në opinion, nga VLEN ende nuk ndjehen të sigurt për t’i zyrtarizuar.
“Pak a shumë janë ato emra, por nuk është asgjë zyrtare të presim edhe pak. Së shpejti do t’i finalizojmë”, tha Driton Sulejmani, VLEN,
Me largimin e ASH-së së Ziadin Selës nga koalicioni i AKI-së, u shtrua dhe çështja e mundësisë së përfshirjes së tij në qeveri. Ndonëse nga VLEN thonë se ka biseda rreth zgjerimit të shumicës parlamentare dhe se kjo nuk do të përbënte ndonjë problem, kryeministri Mickoski thotë që për momentin nuk mendon për diçka të tillë pasi siç tha ka shumicë prej 2/3. / Alsat.mk
The post Si do ndahet kulaçi? – Bisedimet VLEN-VMRO për rikonstruim të Qeverisë, drejt fundit appeared first on Alsat.
