Shumë kohë para se njerëzit të mbështeteshin te ajri i kondicionuar, qyteti i vjetër i Dubait i mbronte shtëpitë nga vapa duke përdorur teknika të zgjuara për uljen e temperaturës. Sot, këto metoda tradicionale po marrin sërish vëmendje.

Në mes të vapës përvëluese të pasdites në Dubai, shpesh me temperatura vdekjeprurëse, ekziston një pjesë e qytetit ku mund të freskohesh pa ajër të kondicionuar. Kur hyn në rrugicat e ngushta të lagjes historike Al Fahidi, një pjesë e Dubait të Vjetër, gjen strehë nga dielli përvëlues i mesditës. Hijet dhe muret e larta krijojnë ndjesinë e një ere të freskët, një magji e vërtetë arkitektonike. Kulla të larta ere ngrihen mbi çatitë, struktura të zgjuara që më parë freskonin banesat, dhe që sot janë kthyer në folenë e pëllumbave.

Lagjja historike Al Fahidi daton që nga vitet 1700. Projektimi i saj përballon të nxehtin ekstrem përmes teknikave pasive të ftohjes, një trashëgimi që sot po shërben si frymëzim për arkitektët modernë dhe planifikuesit urbanë që përballen me ndryshimet klimatike dhe temperaturat në rritje globale.

Në një vend ku temperatura ka arritur deri në 51°C dhe ndjesia termike me lagështi deri në 62°C, klimatizimi përdor më shumë se 70% të energjisë elektrike në verë. Por teknikat tradicionale si hijëzimi dhe kontrolli i rrjedhës së ajrit ofrojnë alternativa të qëndrueshme dhe me kosto të ulët.

“Emiratasit ndërtuan shtëpi plotësisht të përshtatura për shkretëtirën,” thotë udhërrëfyesi Noor Ahmed. Kullat e erës (barjeel) kapnin ajrin e freskët nga jashtë dhe nxirrnin ajrin e ngrohtë nga brenda. Rrugicat e ngushta me mure të larta mbronin kalimtarët nga dielli përvëlues.

Kur banorët e parë të Dubait u vendosën përgjatë përrenjtë natyror Dubai Creek, ndërtuan shtëpi të mençura për klimën e ashpër të shkretëtirës: me oborre të brendshme, dritare me rrjeta dekorative (mashrabia), gurë koralor dhe rrugica të ngushta të quajtura sikka.

Sipas Ahmed Al-Jafflah, ekspert kulturor në Qendrën për Mirëkuptim Kulturor në Dubai, “Arkitektura e Al Fahidit përdor disa teknika pasive që bashkëpunojnë për të ruajtur freskinë, si optimizimi i erës, hijëzimi maksimal dhe ekspozimi minimal ndaj diellit.”

Barjeel kapin erën në lartësi dhe e kanalizojnë brenda shtëpisë, duke nxjerrë ajrin e ngrohtë jashtë. Kjo mund të ulë temperaturën e brendshme me gati 10°C. Këto struktura sot përdoren edhe në ndërtesa moderne si Madinat Jumeirah dhe xhamia e gjelbër Khalifa Al Tjer, që ka fituar certifikim Leed për ndërtim ekologjik.

Oborret e brendshme veprojnë si rregullatorë termikë, duke ftohur ajrin natën dhe duke e përhapur në ambientet rrethues. Hijet nga muret e larta, strehët dhe bimësia mbrojnë nga dielli dhe rëra. Sipas një studimi në Spanjë, kjo arkitekturë mund të ulë kërkesën për ftohje deri në 18%.

Mashrabia, rrjeta dekorative në dritare, ndihmojnë në kontrollin e dritës dhe ftohjen. Një studim i vitit 2024 tregoi se mund të ulin temperaturën e brendshme me të paktën 3°C. Oborret gjithashtu ofrojnë ndjesinë e privatësisë dhe qetësisë, në përputhje me vlerat kulturore lokale.

Edhe pse gurët koralor nuk lejohen më për mbrojtjen e jetës detare, ngjyrat e hapura në mure vazhdojnë të përdoren për të reflektuar nxehtësinë. Bimësia dhe palmat e larta gjithashtu ndihmojnë në hijëzim.

Një tjetër element i rëndësishëm janë sikkat, rrugica të ngushta 2–3 metra të gjera që lejojnë qarkullimin natyral të ajrit. Al-Jafflah thotë se turistët shpesh pushojnë aty për shkak të freskisë dhe qetësisë.

Arkitektët e Emirateve kanë ndërtuar qytete të tëra duke u bazuar te këto parime. Masdar City në Abu Dhabi, p.sh., ka ndërtesa të afërta dhe rrugë të ngushta që maksimizojnë hijen dhe rrjedhjen natyrale të ajrit, duke ulur temperaturën deri në 10°C dhe duke kursyer 40% më shumë energji se ndërtesat tradicionale.

“Këto teknika janë me kosto të ulët dhe mund të përsëriten lehtësisht,” thotë Sherihan Alshahed, pedagoge për komunitete urbane të qëndrueshme. Prandaj, ndërtesat moderne në Emirate shpesh përfshijnë elementë të frymëzuar nga Dubait i Vjetër.

Xhamia Khalifa Al Tjer, për shembull, ka hapësira në fund dhe në krye të kolonave për të lejuar qarkullimin vertikal të ajrit, një version modern i barjeel-it. Edhe ndërtesa në vende të tjera si Royal Chelsea Hospital në Londër apo Windcatcher House në Utah të SHBA-ve përdorin kullat e erës.

Në Abu Dhabi, ndërtesa si Al Bahr Towers përdorin mashrabia të automatizuara që hapen dhe mbyllen sipas pozicionit të diellit, për të reduktuar dritën dhe nxehtësinë. Edhe muzeu Louvre në Abu Dhabi ka një kupolë të frymëzuar nga mashrabia.

Oborret e brendshme janë të zakonshme në ndërtesa moderne si Xhamia Sheikh Zayed dhe qendra tregtare City Centre Midrif në Dubai, por edhe në vende si India apo Japonia.

“Këto teknika mund të përshtaten për klimën e çdo vendi,” thotë Alshahed. Në klimën tropikale duhet marrë parasysh shiu dhe lagështia, ndërsa në klimën e butë ndryshimet e temperaturës dhe izolimi.

Që nga vitet 1700 deri më sot, ajo që lidh arkitekturën tradicionale me ndërtesat moderne është ideja e ndërtimit të ambienteve që i përgjigjen klimës përreth. “Edhe sot, duke kuptuar mjedisin dhe ndërtuar sipas nevojave të tij, mund të ftohim shtëpitë në mënyrë të qëndrueshme, pa përdorur karburante fosile,” përfundon Mhatre. / BBC – Syri.net

The post Si e mposhtin vapën ekstreme rrugët historike të Dubait të Vjetër appeared first on Alsat.