Vetëm pak muaj më parë, Aquinos Bedding Germany shpalli falimentimin. Për dekada të tëra, dyshekët e kësaj kompanie prodhoheshin në Gjermani, duke ndërtuar një markë të njohur me një logo të njohur.
Tani linjat e prodhimit në fabrikën në Wattenscheid po ndalen. Shumë punonjës kanë qenë atje për dekada të tëra por vendet e tyre të punës janë rrezikuar.
“Pas 30 vitesh të shohësh se të gjitha këto po marrin fund – është vërtet e trishtueshme”, thotë një punonjës i moshuar.
Arsyet e falimentimit janë, ndër të tjera, kostot e larta të logjistikës, pajisjet e vjetruara dhe vështirësitë në kompanitë simotra. Por Aquinos nuk është një rast i izoluar: në vitin 2024 ka pasur 21.812 falimentime në Gjermani. Ekonomia po dobësohet, papunësia është rreth tre milionë – e megjithatë indeksi i aksioneve DAX është rritur. Po pse?
Pavarësisht rënies ekonomike: Pse DAX po rritet
Nuk ka pothuajse asnjë shenjë krize në Bursën e Frankfurtit. DAX u dyfishua afërsisht në tre vjet. “Ne jemi në një situatë veçanërisht të vështirë ekonomike në Gjermani, dhe indeksi i tregut të aksioneve gjermane është ende në rritje”, shpjegon menaxheri i fondeve Roger Peeters.
“Por duhet thënë se kur flasim për kompani gjermane ose aksione gjermane, këto janë në përgjithësi korporata globale që gjenerojnë vetëm një pjesë të vogël të vlerës së tyre në Gjermani”, shton Peeters. Në parim, kjo gjithmonë pasqyron ekonominë globale, thotë ai. Sipas tij, në disa vende të tjera gjendja është më e e mirë sesa në Gjermani.
Arsyet për dobësimin e industrisë
Edhe fabrika kimike Venator në Duisburg ka falimentuar. Administratorja e falimentimit Sarah Wolf shpjegon: “Arsyet këtu janë sigurisht komplekse. Së pari, është situata e përgjithshme ekonomike, e cila nuk është përmirësuar vitet e fundit.” Përveç kësaj, shton ajo, ka tensione në tregun e lëndëve të para dhe furnizimit me energji për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
“Energjia është bërë jashtëzakonisht e shtrenjtë. Dhe të gjitha këto gjëra së bashku ndonjëherë çojnë në një situatë ku thjesht nuk ka fonde të mjaftueshme dhe të gjitha detyrimet e papaguara nuk mund të paguhen.” Burokracia, taksat dhe detyrimet doganore gjithashtu përshpejtojnë falimentimin – dhe ate jo vetëm në industrinë kimike.
Kriza ekonomike dhe problemet me strukturat
Për Achim Wambach, president i Qendrës Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane dhe këshilltar i Ministrisë Federale Gjermane për Çështje Ekonomike dhe Energji, rënia është më shumë sesa një rënie ciklike: “Tre vjet me radhë rënie, kjo nuk është një krizë konjukture. Përkundrazi, kemi një krizë strukturore.” Madje, sipas tij, as rritja e pritur vitin e ardhshëm nuk do të ndryshojë shumë.
Industria duhet të menaxhojë transformimin, ndërsa masat qeveritare duhet të orientohen drejt konkurrueshmërisë, tha eksperti. “Ekonomia është nën presion të madh, Gjermania është nën presion të madh“, tha Wambach.
Ai beson se programet e stimulimit ekonomik me marrjen e huave thjesht nuk mjaftojnë. “Vjeshta e reformave” e shpallur duhet të vijë vërtet, duke përfshirë edhe rregullimet në sistemet sociale.
Shumë falimentime – por jo një valë ekstreme
Pavarësisht rasteve aktuale, numri i falimentimeve historikisht ka qenë dukshëm më i lartë, për shembull, në kohën e krizës financiare, por edhe në disa periudha të tjera. Prandaj, Gjermania është ende larg një vale ekstreme falimentimesh.
Megjithatë, kjo mbetet një ngushëllim i vogël për ata që janë prekur. Nuk u gjet asnjë investitor në Wattenscheid për këtë fabrikë të vjetër prodhimi, por marka u shit. Thomas Bußkamp, që është nga ky rajon dhe tani planifikon të prodhojë dyshekë të kësaj marke në kompaninë e tij në Bocholt, u ka bërë një ofertë punonjësve. Kompania synon të vazhdojë bashkëpunimin me ta – në Gjermani dhe ky është një lajm i mirë për ta. / FW
The post Si është vërtet gjendja e ekonomisë gjermane? appeared first on Alsat.

