Kina është e gatshme të punojë me të gjitha ekonomitë e forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) për të krijuar një sistem më të qëndrueshëm të sigurisë ushqimore, theksoi të martën zv.kryeministri kinez Liu Guozhong.

Liu, i cili është edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto në fjalimin e tij kryesor në ceremoninë e hapjes së Takimit të 11-të Ministror për Sigurinë Ushqimore të APEC-ut në Hangzhou, kryeqendër e provincës lindore kineze Zhejiang.

Duke theksuar rolin jetik që luan APEC-u në mbrojtjen e sigurisë ushqimore globale, zv.kryeministri kinez u bëri thirrje ekonomive të APEC-ut që të forcojnë së bashku bazat e sigurisë ushqimore, duke shfrytëzuar burimet dhe epërsitë e tyre natyrore.

Liu propozoi fuqizimin e zhvillimit të drejtuar nga inovacioni dhe thellimin e bashkëpunimit në shkencën dhe teknologjinë bujqësore, duke e mbajtur qarkullimin tregtar të pandërprerë, për të mbrojtur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit ushqimor. Ai gjithashtu bëri thirrje për një ndërthurje më të fortë politikash për të garantuar sigurinë ushqimore.

Si një veprimtari kryesore e “Vitit Kinez” të APEC-ut, takimi mblodhi rreth 200 delegatë nga 21 ekonomitë e APEC-ut, Sekretariati i APEC-ut dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Gjatë tij u zhvilluan dialogë politikash mbi zhvillimin bujqësor e rural, risitë teknologjike dhe bujqësinë digjitale për sigurinë ushqimore.