Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë një ligjërate në Universitetin Kolumbia në Nju-Jork si pjesë e Forumit të Liderëve Botërorë, theksoi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor ka qenë një proces i gjatë dhe shpesh i shtyrë pa fund.

“Rruga jonë drejt Brukselit ngjan me një maratonë – një maratonë që ndonjëherë na bën të pyesim veten: ‘a po presim Godonë?’ Maratonën e filluam në vitin 2005, kur morëm statusin e kandidatit. Sot shpesh thuhet se Evropa është një simfoni e papërfunduar pa Ballkanin Perëndimor, dhe interesi për rajonin u rrit tri vite më parë, kur për fat të keq, filloi lufta në Ukrainë,” deklaroi presidentja para studentëve.

Ajo elaboroi pasojat e shtyrjes së pafundme të premtimit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit, duke nënvizuar se qytetarët e rajonit gjithmonë e kanë konsideruar veten pjesë të Evropës – gjeografikisht, historikisht dhe kulturorisht.

“Tani procesi i zgjerimit është përsëri në axhendën e BE-së, por jo për një Union më të madh, por për stabilitet dhe siguri. Ky është një shans i mirë për ne të jemi në axhendë dhe të shfrytëzojmë momentin. Megjithatë, gjatë 30 viteve të fundit kemi përpjekur disa herë dhe rezultati janë 36 ndryshime në Kushtetutën tonë,” theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo vuri në dukje përvojën e vendeve baltike, të cilat gjatë integrimit evropian morën mbështetje nga fqinjët skandinavë dhe u bënë anëtare të BE-së, ndryshe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku vetoja e vendeve anëtare frenoi përparimin drejt Brukselit.

“Besoj se BE-ja duhet ta rishqyrtojë qëndrimin e saj. Më parë BE-ja ishte sinonim i demokracisë dhe sundimit të ligjit, por sot po përballet me krizë lidershipi. Marrëdhënia midis vendeve anëtare dhe vendeve kandidate si ne është shpesh e gabuar – është thjesht një marrëdhënie ‘dëgjo dhe vepro’,” theksoi presidentja, duke shtuar se vetot nuk bazohen në kriteret e Kopenhagës, por shpesh në kërkesa të fqinjëve që nuk lidhen me këto kritere.

Ajo shpjegoi se në Traktatin e BE-së, Traktatin e Lisbonës dhe Kartën e të Drejtave Themelore, BE-ja njihet për unitetin në diversitet dhe respektimin e identitetit kulturor dhe kombëtar.

“Do të kuptoja veton nëse nuk respektohet sundimi i ligjit, por jo për çështje si identiteti kombëtar, që është e drejta jonë për vetëvendosje. Legjitimiteti ynë vjen nga qytetarët, dhe jo nga vullneti i disa shteteve anëtare. Nëse BE-ja është për demokraci dhe multilateralizëm, duhet të respektojë dokumentet e saj përbërëse – përndryshe është hipokrizi,” shtoi ajo.

Në kontekstin e OKB-së, Siljanovska-Davkova theksoi nevojën për reforma të thella dhe për herë të parë sugjeroi që një grua të zgjidhet Sekretare e Përgjithshme. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për ndryshime në procesin e vendimmarrjes, për të parandaluar konfliktet dhe për të shmangur veprime “post festum”.

“Unë ende besoj në Kombet e Bashkuara. Por ndonjëherë më kujtojnë Lidhjen e Kombeve, e cila përfundoi keq. Nuk duhet ta lejojmë këtë; duhet të respektojmë Kartën, të drejtën ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave. Përndryshe, humbasim kohë dhe betejën,” tha presidentja.

Pas ligjëratës, studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje për politikën e jashtme, Kushtetutën dhe rendin e brendshëm maqedonas, si dhe situatën në rajon. Siljanovska-Davkova theksoi se si studente dhe profesoreshë përdorte metoda sokratike, duke nxitur dialogun dhe mësimin reciprok me studentët.

Forumi i Liderëve Botërorë, i themeluar në vitin 2003 nga presidenti i atëhershëm i Universitetit Kolumbia, Li C. Bolinxher, synon që studentët, profesorët dhe komuniteti universitar të dëgjojnë personalisht pikëpamjet e udhëheqësve botërorë dhe të nxisë dialogun ndërkombëtar.

Para ligjëratës, presidentja u takua me drejtuesit e Universitetit Kolumbia për të diskutuar bashkëpunime akademike dhe temat e forumit.