Prej pesë ditësh automjetet mbeten të bllokuara nëpër parkingje të shpedicioneve private në gjithë vendin. Kjo për arsye se nuk funksionon sistemi i operatorit gjerman “Schëacke” për Maqedoninë e Veriut. Qytetarët, të cilët kanë blerë automjete nga jashtë dhe presin procesin e zhdoganimit, shprehin shqetësimin se nuk po marrin dot makinat e tyre, madje po detyrohen të paguajnë edhe tarifa shtesë.
“Tani e disa ditë automjetet mbeten të bllokuara në gjithë vendin në procedurë të zhdoganimit pasi që sistemi operativ i vlerësimit të automjeteve të Doganës nuk po funksionon dhe qytetarët ankohen se makinat e tyre kanë mbetur të bllokuara dhe paguajnë parking për këto ditë pa fajin e tyre”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.
Nga Drejtoria e Doganave thonë se pas këtyre vonesave sistemi pritet që të kthehet në funksion deri në fund të javës. Zëvendësdrejtori Mustafa Dauti tha se që nga 2019 RMV ka marrëveshje me operatorin gjerman “Schëacke” për vlerësimin e kostos së automjeteve për t’i elaboruar pastaj edhe çmimin e doganës përmes platformës online sipas vitit të prodhimit, vëllimit të motorit dhe numrit të shasisë. Ai tha se hakërët e kanë sulmuar platformën duke paralizuar të gjithë procesin e zhdoganimit të veturave.
Mustafa Dauti: “Ne siç i kemi informacionet tona rezulton që është hakuar sistemi në Gjermani dhe kjo është arsyeja që kemi mbetur mbrapa me procedura. Nuk funksionon e gjitha apo si? Mund të flas vetëm për vendin tonë pasi që ne e kemi marrëveshjen me atë platformën online. Se vendet tjera mund të kenë marrëveshje me ndonjë tjetër platformë online.
TV21: Si do ja bëni me këtë, sepse faji nuk është i pronarëve të makinave por i vet sistemit dhe ata po dëmtohen në një mënyrë duke paguar çdo ditë parking për vonesa?
Mustafa Dauti: Po, kjo është një çështje që ne e kemi biseduar dhe analizuar, nga informacionet që vijnë nga terreni prandaj edhe kemi marr hapa me doemos të gjejmë zgjidhje sa më shpejtë! Është diçka që ka ndodhur për herë të parë kaq gjatë dhe do të ulemi të shohim edhe këtë çështje që ju përmendët!”
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave të RMV-së në tre muajt e parë të këtij viti janë zhdoganuar rreth 16 mijë automjete, prej të cilave rreth 70% e tyre kanë qenë të përdorura të ardhura nga Evropa. Ndërsa në vitin 2025 në vendin tonë për herë të parë janë regjistruar 69,400 automjete, ku dominojnë veturat e ardhura nga Gjermani, Zvicra, Italia, Franca dhe Austria. Autoritet thonë se përveç veturave në këtë shifër janë të përllogaritur edhe autobusët, minibusët, kamionët dhe mjetet të tjera motorike. Këto shifrat marramendëse tregojnë se industria e automobilistikes në vendin tonë është e prirë të blejë automjete të vjetra nga Evropa Perëndimore dhe të tej mbushë rrugët tona me vetura të përdorura.
