Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kontrollim i shenjave të gishtave dhe fotografim. Kjo është mënyra e re që do të zbatohet nga sot e tutje në vendkalimet kufitare në shtetet e Bashkimit Evropian.
“Prej sot Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht filloi me zbatim të plotë të sistemit digjital EES për evidencë në hyrje dhe dalje të shtetasve nga vendet të cilat nuk janë anëtare të BE-së. Mënyra e re i kontrollit kufitar vlen edhe për shtetasit e Maqedonisë dhe do ta zëvendësojë praktikën e deritanishme për vendosje të vulave në pasaporta”.
Qytetarët që takuam në hyrje të Maqedonisë nga Greqia, disa e përshëndetën e disa e kritikuan sistemin e ri.
“Do të bëhet rrëmujë e madhe, sidomos verës. Cilat ishin procedurat? Standarde, fotografi dhe dhënien e katër gishtave nga dora e djathtë. Ju mori shumë kohë? Jo. A kishte rrëmujë në kufi? Për momenti jo, sot nuk kishte, akoma është herët. Verës sigurisht do të ketë më shumë rrëmujë dhe pritje, kjo është e sigurt”, tha një udhëtar.
“Kjo është diçka e kotë. Pse e kotë? Për shtetin dhe qytetarët është e panevojshme. Deri tani aspak nuk ka qenë problem, tash duket se do të shkaktoj probleme, vetëm probleme dhe asgjë tjetër. Sa kohë ju mori kontrolli? Për Zotin, ka pak rrëmujë, përndryshe do të bëhej keq”, u shpreh udhëtari.
“Kalova, poshtë kishte rrëmujë. Më herët isha fotografuar ndërsa tani kur u ktheva vetëm shenjat e gishtërinjve i dhashë, isha në një udhëtim të shkurtër, një ditor, deri në aeroport. A bëhet rrëmujë me këtë sistem? Po, bëhet”, tha një udhëtar tjetër.
“Kishte 10 makina para nesh. Sa zgjati e gjithë procedura? Në kufi, vetëm për gishtat, një minutë. Fotografi dhe shenjat e gishtërinjve një minutë. Aq. Shpejt ecën, nuk ka probleme”, thotë një udhëtar.
Sistemi i cili deri tani zbatohej pjesërisht, do të evidentojë automatikisht kohën e hyrjes dhe daljes, kohën e qëndrimit dhe ndalesat eventuale për hyrje në shtetet e BE-së. Sistemi është implementuar në të gjitha shtetet e BE-së. Për shtetasit e Maqedonisë të cilët udhëtojnë pa vizë në vendet e BE-së, sistemi i ri do të thotë proces i ndryshuar i kontrollit kufitar. Gjatë kalimit të parë në vendkalimet kufitare në Greqi, Bullgari apo në aeroporte, do të zbatohet regjistrim i plotë që përfshin fotografim, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe futja digjitale e të dhënave nga pasaporta./Alsat.mk.
The post Sistemi i ri EES shkakton kolona në Bogorodicë, disa qytetarë ankohen për rrëmujë appeared first on Alsat.
