Nuk do të ketë më bashkëpunëtor të ri, të cilët janë në prag të pensionit. Në kuadër të avancimit të punonjësve në administratën publike, nga VLEN paralajmërojnë që nga dita e parë e vitit të ardhshëm do të shfuqizohen dy pozita të punës. Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai tha se kjo do të ndihmoj të punësuarit në sektorin publik të avancohen në pozitat e punës dhe si rrjedhoje me paga më të larta.
“Me ligjet e reja për administratën publike do të shfuqizohen përfundimisht titujt diskriminues ‘Pomlad sorabotnik’ dhe ‘Pomlad referent’ që për dy dekada poshtëruan shqiptarët në çdo zyrë shtetërore. Me VLEN nuk ka më bashkëpunëtor të ri, nuk ka më referent të ri, duke filluar nga 1 Janari 2026 të gjithë të punësuarit me titullin bashkëpunëtor i ri do të avancohen në mënyrë automatike në gradën ‘Bashkëpunëtor’. Të punësuarit me titullin bashkëpunëtor do të bëhen bashkëpunëtor profesional. Ata me arsim të mesëm që ende mbajnë titullin referent i ri ose referent do të avancohen në gradën referent i lartë, ndërsa titulli referent i lartë do të zëvendësohet me referent i pavarur”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
