Operacioni i zhvilluar më 23 dhe 24 prill nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zbuloi një rrjet të gjerë të importit dhe përdorimit të paligjshëm të botoksit dhe mbushësve dermalë në vend.
Në bastisjet e realizuara në Shkup, Manastir dhe Strumicë, 14 persona u arrestuan, ndërsa kallëzime penale u ngritën ndaj 19 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë. Mes të dyshuarve janë mjekë nga Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori”, një mjek nga Klinika Universitare për Dermatologji, pronarë të praktikave private, organizatorë të rrjetit të furnizimit dhe madje edhe një oficer doganor.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë vitit 2026 grupe të organizuara kanë blerë produkte mjekësore dhe kozmetike të falsifikuara nga Serbia, Koreja dhe Turqia, të cilat më pas janë futur ilegalisht në vend, janë shpërndarë dhe në disa raste janë përdorur te pacientët. Në këtë skemë, një zyrtar doganor dyshohet se ka pranuar ryshfet për të lejuar kalimin e mallrave pa kontroll.
Rasti tejkalon dimensionin e një tregtie të paligjshme kozmetike dhe prek drejtpërdrejt sigurinë e pacientëve dhe besimin në sistemin shëndetësor. Dyshimet janë se qytetarë të shumtë mund të jenë trajtuar me preparate të pasigurta, pa e ditur origjinën, përbërjen apo nëse ato ishin të miratuara nga MALMED.

Rreziqet nga përdorimi i pakontrolluar i këtyre produkteve janë të dokumentuara ndërkombëtarisht. Food and Drug Administration paralajmëron se injektimi i gabuar i mbushësve mund të shkaktojë nekrozë të indeve, probleme me shikimin deri në verbëri dhe madje goditje në tru. Ndërkohë, National Health Service thekson se komplikimet mund të përfshijnë infeksione, dëmtime nervore dhe pasoja të rënda afatgjata.
Rasti ka nxjerrë në pah edhe dobësi institucionale. Edhe pse në vitet e fundit ka pasur sekuestrime të produkteve të ngjashme në kufi – përfshirë një rast në Deve Bair – rrjeti i paligjshëm duket se ka vazhduar të funksionojë dhe të zgjerohet.
Epilogu i këtij operacioni ende nuk është përmbyllur. Arrestimet dhe sekuestrimet përbëjnë vetëm fazën fillestare. Sfida kryesore tani mbetet hetimi i plotë: identifikimi i pacientëve të prekur, gjurmimi i produkteve të përdorura, përcaktimi i përgjegjësisë brenda institucioneve dhe forcimi i kontrollit shtetëror mbi mjekësinë estetike.
Nëse institucionet arrijnë të çojnë deri në fund këtë proces dhe të ndërmarrin reforma konkrete, rasti mund të shënojë një kthesë në rregullimin e këtij sektori. Në të kundërtën, ai rrezikon të mbetet vetëm një aksion i bujshëm, pa ndryshime reale në terren.
