Sindikata e Kulturës e RMV-së ka ngritur alarmin për, siç thotë, gjendje seriozisht shqetësuese në Teatrin e Gostivarit, pas tetë vendimeve gjyqësore të formës së prerë, përcjell TV21. Sipas reagimit, të punësuarit përballen me presione të forta dhe u imponohet ndjenja e fajit për detyrimet financiare që burojnë nga këto procese, ndërsa paralajmërohen edhe me mbyllje të institucionit dhe humbje të vendeve të punës.

Nga Sindikata theksojnë se punonjësve nuk u dorëzohet programi i punës, me arsyetimin se mjetet do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore, duke kujtuar se prej një viti kanë paralajmëruar për pasojat e moskorrigjimit të përllogaritjes së pagave në sektorin e kulturës. Sindikata paralajmëron se nëse vazhdojnë presionet, do të ndërmarrë masa ligjore dhe do të bëjë publikë përgjegjësit.

Ata i bëjnë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit që të respektojë vendimet gjyqësore dhe të sigurojë llogaritjen e pagave në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet kolektive, duke rikujtuar se moszbatimi i vendimeve përbën vepër penale.