Sot, më 10 prill, Bashkimi Evropian zyrtarisht fillon zbatimin e plotë të Sistemit të Hyrjes/Daljes EES, (Entry/Exit System), një sistem i ri dixhital për regjistrimin e hyrjes dhe daljes së qytetarëve nga vendet jo-anëtare të BE-së.
Metoda e re e kontrollit kufitar vlen edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe zëvendëson plotësisht praktikën e mëparshme të vulosjes manuale të pasaportave me të dhëna elektronike dhe biometrike.
Sistemi, i cili është zbatuar gradualisht dhe në faza, do të regjistrojë automatikisht kohën dhe vendin e hyrjes dhe daljes, kohëzgjatjen e qëndrimit, si dhe çdo ndalim të mundshëm për hyrjen në vendet e BE-së. Qëllimi është rritja e sigurisë dhe kontrolli më efikas i kufijve të jashtëm të Unionit.
EES është një sistem qendror dhe i automatizuar i IT-së i Bashkimit Evropian, i destinuar për modernizimin e kontrolleve kufitare për qytetarët nga vendet jo-anëtare të BE-së që hyjnë në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh.
Sistemi lejon regjistrimin elektronik të datës dhe vendit të hyrjes dhe daljes, përpunimin e të dhënave biometrike (gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia), verifikim më të mirë të pajtueshmërisë me rregullat e qëndrimit, rritje të sigurisë dhe zvogëlim të abuzimeve.
The post Sot hyn në fuqi EES, sistemi i ri zëvendëson vulat në pasaporta me regjistrim digjital në BE appeared first on Alsat.
