Pas dy aksidenteve të rënda hekurudhore që tronditën Spanjën, sindikata e makinistëve të trenave SEMAF ka paralajmëruar një grevë tre-ditore mbarëkombëtare, e cila do të mbahet më 9, 10 dhe 11 shkurt.
Sipas sindikatës, greva do të përfshijë të gjithë makinistët e trenave nga kompanitë e ndryshme që operojnë në sektorin hekurudhor dhe ka për qëllim rritjen e sigurisë në transportin hekurudhor.
Ministri i Transportit i Spanjës, Oscar Puente, ka deklaruar se greva nuk i duket si mënyra më e mirë për të adresuar kërkesat e punëtorëve, por ka shprehur shpresën se ajo do të anulohet. Ai theksoi se është i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e tyre.
Nga ana tjetër, SEMAF bën të ditur se punëtorët kanë denoncuar prej kohësh gjendjen e keqe të rrjetit hekurudhor në disa segmente, pa marrë përgjigje konkrete apo ndërhyrje, për muaj e madje për vite.
Sindikata thekson se përmes grevës synon të kërkojë edhe përgjegjësi penale nga institucionet dhe personat që kanë për detyrë garantimin e sigurisë së infrastrukturës hekurudhore.
