Rikthehet spektakli i Ligës së Kampionëve. Në xhiron e shtatë të kompeticionit më të madh europian do të përballen Sparta Praga dhe Interi, prej orën 21:00, në Pragë.
Skuadra e Simone Inzaghit, me një fitore në tokën çeke dhe kundër Monaco në xhiron e fundit të grupit, do të siguronte një vend midis tetë të parëve, duke shmangur kështu “play-off”-et. Për vendasit, të cilët janë të bllokuar në vendin e 28-të me 4 pikë, arritja e kualifikimit për raundin tjetër duket tashmë një utopi.
Deri më sot janë regjistruar 4 përballje midis Sparta Praga dhe Interit. 3 fitore dhe një humbje për zikaltërit figurojnë në bilancin kundër ekipit çek. Përballja më e fundit midis dy ekipeve është në fazën e grupeve të “Europa League” 2016-2017, ku në ndeshjen e parë, çekët fituan 3-1 në shtëpi. Në rikthim, në “San Siro”, zikaltërit fituan 2-1, me dopietë të Eder.
Arbitri i ndeshjes do të jetë spanjolli Alejandro Hernandez. Asistentët do të jenë José Naranjo dhe Diego Sanchez Rojo, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Cesar Soto Grado, me Munuera dhe Gomez në VAR.
Si vjen Sparta Praga – Trajneri Lars Friis e ka pothuajse të gjithë ekipin në dispozicion, me rikthimet e ish-lojtarit të Sassuolos Haraslin, Birmancevic dhe Rrahmani. Para Vindahl, në portë, pritet që treshja e mbrojtjes të përbëhet nga Vitik, Panak dhe Sorensen. Në mesfushë nuk lëvizin Laçi dhe Kairinen, ndërsa Wiesner dhe Ryenes pritet të luajnë në krahët e mesfushës. Birmancevic dhe Haraslin do ta nisin nga minuta e parë, pas qëndërsulmuesit Olatunji.
Si vjen Interi – Simone Inzaghi pritet të bëjë disa ndryshime në krahasim me ndeshjen e “San Siro” kundër Empolit, duke lënë jashtë Carlos Augusto, Zielinski dhe Taremi. Në vend të tyre do ta nisin nga minuta e parë Bastoni, Mkhitaryan dhe Marcus Thuram.
Kujdes po tregohet për balotazhin në mesfushë. Trajneri i zikaltërve ka deklaruar në konferencën për shtyp se Frattesi është në konkurrencë me Barella për ta nisur titullar. Vendimi do të merret në momentin e fundit para ndeshjes. Nuk do të jenë në dispozicion të lënduarit e njohur Calhanoglu, Bisseck, Acerbi dhe Di Gennaro.

The post Sparta Praga-Inter, formacionet e mundshme: Thuram nga minuta e parë, balotazh mes Barella dhe Frattesi appeared first on Telesport.
