Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 10-të në Abissnet Superiore. Vëmendja ishte në Rrogozhinë, aty ku Egnatia barazoi 2-2 ndaj Vllaznisë, dy ekipe pretendente për “Final Four” dhe titullin këtë sezon.

Në minutën e 41-të, Elmando Gjini i afrohet golit për Vllazninë, por goditja e tij me kokë përplaset në traversë. Dy minuta më pas, Vllaznia gjen golin me Sherfi Kallakun, i cili shënon me një goditje fantastike me të majtën në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asistit të Lirim Kastratit. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për shkodranët, pjesa e dytë ishte vërtet e bukur.

Në minutën e 62-të, Alessandro Albanese bëri gjithçka bukur në krah dhe kroson brenda në zonë ku Yahya dërgon topin në rrjetë, duke përfituar edhe nga një mos kontroll i mirë i topit nga portieri i Vllaznisë, Pohls.

Në minutën e 74-të, Abdurraman Fangaj pengon brenda zone Melos Bajrami dhe arbitri jep penallti. Fangaj ndëshkohet për herë të dytë me karton të verdhë dhe lë fushën e lojës. I zakonshmi Bekim Balaj, tregohet i saktë nga 11-metrat dhe kalon në avantazh shkodranët.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe barazojnë shifrat me Guillem Jaime përmes një goditjeje spektakolare dënimi në minutën e 86-të. Rezultati final 2-2. Vllaznia ngjitet në krye me 20 pikë, njësoj sa Elbasani. Egnatia në vendin e tretë me një pikë më pak.

Në “Arenën e Demave”, u luajt derbi i vogël i kryeqytetit mes Vorës dhe Partizanit, që u mbyll në barazim pa gola. Rasti më i rrezikshëm i ndeshjes ndodhi në minutën e 83-të, ku goditja me kokë e Andi Janjevës pas një goditjeje këndi devijohet nga një kundërshtar dhe përfundon në shtyllë. Vlen për t’u përmendur edhe dëmtimi i rëndë i Xhuljano Skukës në fund të pjesës së parë, i cili doli me barrelë nga fusha.

Pas këtij barazimi, Vora renditet në vendin e 7-të me 11 pikë, Partizani në vendin e 8-të me 9 pikë.

The post Spektakël në Egnatia-Vllaznia, por nuk ka fitues. “Paqe” në derbin e vogël të kryeqytetit appeared first on Telesport.