Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi së fundmi një vizitë zyrtare në Kiev, në një kohë kur kryeqyteti i Ukrainës vijon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse gjatë dimrit të ashpër.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali ndau përjetimet nga vizita, duke përshkruar nga afër pasojat e luftës mbi njerëzit. Ajo theksoi lodhjen fizike dhe shpirtërore që vërehej te qytetarët, fytyrat e luftëtarëve me plagë të dukshme dhe të padukshme, si dhe realitetin e familjeve që jetojnë me mungesa, prindërve që përballen çdo ditë me frikë dhe fëmijëve që detyrohen të rriten para kohe.
Gjatë kësaj vizite, ministrja shqiptare u nderua nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta shtetërore të vendit, në vlerësim të kontributit dhe mbështetjes së saj ndaj Ukrainës.
Spiropali u shpreh se ky nder përfaqëson një përgjegjësi dhe përulësi edhe më të madhe për të folur, vepruar dhe shërbyer çdo ditë vendin e saj dhe vlerat e përbashkëta.
“Rrëfim i javës në imazhe. Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.
Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.
Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë”, shkruan Spiropali.
Rrëfim i javës në imazhe. Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre. Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I. Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë. /rtsh
The post Spiropali pas vizitës në Kiev: Shqipëria e palëkundur në mbështetje të Ukrainës appeared first on Alsat.
