Me grumbullimin e futbollistëve, përfaqësuesja e Maqedonisë e futbollit ka nisur përgatitjet për sfidat e muajit nëntor. Trajneri Blagoja Milevski ka ftuar 28 lojtarë me qëllim që të ketë një konkurrencë më të gjerë për ndeshjet e fundit të ciklit. Ezgjan Alioski do të mungojë për shkak të lëndimit, ndërsa Bojan Dimoski, Lirim Qamili dhe Kristijan Trapanovski po kthehen në ekip.
Luka Stankovski, mesfushori i Radnički Kragujevac, beson se ndeshja me Letoninë mund të sjellë gjëra pozitive, veçanërisht për futbollistët që presin një shans dhe më shumë kohë loje me fanellën e ekipit kombëtar.
“Sa i përket ndeshjes me Letoninë, si gjithmonë, Maqedonia shkon për fitore. Sot, çdo kombëtare ka cilësinë e vet, prandaj pres një ndeshje të shkëlqyer, për të fituar besim dhe për të arritur fitoren e dëshiruar. Kundër Uellsit është ndeshja kyçe kualifikuese. Shpresoj që këtë herë të mos jetë e ngjashme me atë kundër Belgjikës, megjithëse edhe ajo ndeshje ishte pjesë e taktikave tona dhe arritëm të marrim një rezultat të mirë. Taktikat janë detyrë e trajnerit, dhe detyra jonë është t’i zbatojmë ato në fushë. Shpresojmë për një performancë të mirë dhe tre pikë në Uells. Sinqerisht, nuk mendoj se gjithçka varet nga fati, megjithëse edhe ai është një faktor në futbollin e sotëm. Kemi një taktikë të qartë dhe besoj se kjo do të jetë çelësi i suksesit,” tha Stankovski.
Maqedonia do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit për këtë vit – miqësorja me Letoninë më 13 nëntor në Shkup dhe sfida kualifikuese kundër Uellsit më 18 nëntor në Kardif.
The post Stankovski: Sfida me Letoninë mund të sjellë gjëra pozitive appeared first on Alsat.

