Ministri i Administratës, Goran Minçev, dje tha se heqja e mekanizmit Balancues ka marrë dritë jeshile gjatë qeverisjes së kaluar, pjesë e së cilës ishte edhe BDI-ja, që i ka dhënë ditë jeshile miratimit të Strategjisë nacionale për Reforma në Administratën publike 2023-2030, ku theksohet se Balancuesi nuk është më i nevojshëm.
Po ajo që nuk e tha Minçevi, është se në atë periudhë përveç BDI-së, në Qeveri ka qenë edhe Alternativa, që sot është në koalicionin VLEN, pjesë e Qeverisë aktuale. Jo vetëm kaq, Alternativa në atë kohë ka drejtuar me Ministrinë e Administratës Publike. Këtë e përmendi sot ish-deputetja e BDI-së Arta Bilalli Zendeli.
Nga një kërkim në sistemin ENER, lehtë mund të gjendet drafti i tekstit të Strategjisë për Reforma në Administratën Publike. Ai është publikuar në datë 09 shkurt 2023 dhe institucioni kompetent është pikërisht ministria që atë kohë quhej për “shoqëri informatike dhe administratë”, ndërsa në këtë periudhë ministër ishte Admirim Aliti nga Alternativa.
Po të klikosh në versionin 2 të draft tekstit, hapet Strategjia e cila formën përfundimtare e ka marrë në shkurt 2023, në muajin e fundit të mandatit të Admirim Alitit, pas të cilit në këtë resor erdhi Azir Aliu nga ASH, tash në krahu i Taravarit.
Në faqen 48 të këtij teksti, në pjesën e titulluar “Depolitizimi i administratës publike”, mes tjerash thuhet se “në fazën para marrjes së vendimit, sigurisht që duhet të merret parasysh parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të komuniteteve. Në këtë mënyrë kapërcehet nga njëra anë nevoja e aplikimit të mjetit të quajtur “balancues”, i cili në praktikë shkakton abuzime të shumta dhe nga ana tjetër aplikimi i parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të anëtarëve të komunitetet mbeten”.
Sido që të jetë, ky akt asnjëherë nuk ka marrë ditë jeshile në Kuvend, sqaroi sot ish-deputetja integriste Zendeli-Bilalli.
Bilalli-Zendeli shtoi se Strategjia për Reforma në Administratën Publike po përdoret për defokusim nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar deklarimin e përkatësisë etnike gjatë punësimeve, vendim të cilin ajo e quajti skandaloz dhe vrastar. Ky vendim, siç u shpreh, i sjellë dëm të madh Marrëveshjes së Ohrit dhe shoqërisë multietnike të vendit.
