Një person është shpallur në kërkim nga policia pasi qëlloi në ajër gjatë festës së Vitit të Ri në Tiranë. Policia tha se e ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij, por nuk publikoi të dhëna të tjera lidhur me identitetin.
Sipas raportimit të A2 CNN, ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në datën 1 janar, në sallën e Parkut Olimpik, e cila është marrë me qira për organizimin e festës së ndërrimit të viteve.
Gjatë kohës që këndonte Stresi është qëlluar 2 herë me pistoletë nga një person, fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz, por gjithsesi duke shkaktuar panik.
Sipas A2 CNN, ata që kanë qenë afër e kanë goditur autorin me grushte e gota për ta neutralizuar, ndërsa më pas ai është larguar. Pasi policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes e ka mbyllur ngjarjen para kohe për të zbardhur rrethanat.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, dëgjohen qartë të shtënat gjatë performancës së Stresit, i cili është detyruar të ndërpresë këngën dhe të largohet nga skena.
Sipas Euronews Albania dyshohet se Jetmir Pepa është personi i cili ka qëlluar me armë në ajër. Pepa nuk është një emër i panjohur, pasi verën e shkuar është përfolur shumë për shkak se është ish-bashkëjetuesi i Marinela Berishës e cila qëlloi Klea Prengën në një nga lokalet e Tiranës ndërsa policia nuk preferoi të publikonte identitetin e autorit të dyshuar.
“Për arsye se hetimi vijon nuk mund të bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu policia thotë se me të marrë sinjalizimin për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, efektivët kanë mbërritur menjëherë në lokalin e natës ku kanë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me ngjarjen.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë penale të autorit të dyshuar.

 
                    