Gazetar: Miki Trajkovski
Avokati i Popullit, zyra rajonale në Kërçovë hapi procedurë me vetiniciativë për mungesën e ujit të pijshëm në Strugë. Ky hap vjen pas reagimeve të shumta nga qytetarët.
“E drejta për ujë të pijshëm të sigurt dhe të mjaftueshëm është një e drejtë themelore njerëzore, e lidhur ngushtë me të drejtën për jetë, shëndet dhe dinjitet njerëzor. Çdo kufizim i zgjatur, dyshim për cilësinë e ujit ose mungesë transparence nga ana e institucioneve kompetente krijon pasiguri dhe ndikon në interesin publik”, deklaroi Ilber Dauti, Avokat i Popullit, Zyra Rajonale – Kërçovë.
Nga Komuna e Strugës dhe Ndërmarrja Publike kërkohet raport i detajuar mbi situatën aktuale. Dauti thotë se çështja nuk duhet të trajtohet nga prizmi politik, por si prioritet vital për qytetarët. Ndërkohë banorët e fshatit Shum, këmbëngulin se për shkak të reshjeve të shiut ditëve të fundit është rritur sërish niveli i turbullimit të burimeve nga ku furnizohet pjesa më e madhe e Strugës me ujë të pijshëm. Banorët paralajmërojnë protesta.
“Do të kemi edhe protesta më të mëdha. Po organizohemi edhe me diasporën — diskutuam që do të ketë protesta si në qytet ashtu edhe para komunës”, tha Zogu Beluli – banor i fshatit Shum.
Sipas analizës së sotme të Qendrës së Shëndetit Publik, turbullira e burimeve është 3.92 edhe pse kufiri minimal i lejuar është 1.5. /Alsat.mk
The post Struga 11 ditë pa ujë, Avokati i Popullit hapi procedurë appeared first on Alsat.
