Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti në rrjetet sociale ka bërë të ditur se në Strugë ka filluar zëvendësimi i gypave të ujësjellësit, transmeton TV21. Në fazën e parë përfshihen 6.2 kilometra rrjet, rruga kryesore dhe 13 degëzime, ndërsa rindërtimi do të zgjasë 12 muaj.
Statusi i plotë i Izet Mexhitit.
“Sot në Strugë nis një ndërhyrje vendimtare për shëndetin publik dhe cilësinë e jetës në qytet: fillojmë fazën e parë të zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit me gypat e vjetër prej çimento-azbesti.
Bëhet fjalë për një investim prej rreth 1.5 milion euro. Në këtë fazë përfshihen 6.2 kilometra rrjet, rruga kryesore dhe 13 degëzime të saj. Rindërtimi do të zgjasë 12 muaj dhe do të sjellë një ndryshim të prekshëm në infrastrukturën bazë të qytetit.
Azbesti është material i rrezikshëm për shëndetin. Gypat që do të zëvendësojmë kanë qenë burim i vazhdueshëm rreziku për ujin që përdorin banorët çdo ditë. Me heqjen e tyre, mbyllim një kapitull të gjatë të neglizhencës dhe hapim një tjetër, me standarde të reja dhe fokus te siguria.
Po vendosim një rrjet modern, të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Kjo ndërhyrje do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e ujit, do të rrisë kapacitetin e furnizimit dhe do të ulë ndjeshëm humbjet teknike.
Ky është një hap konkret drejt një Struge më të pastër, më të sigurt dhe më të jetueshme. Dhe është vetëm fillimi”.
