Askush nuk u jep afat kohor studentëve se kur do të zgjidhet çështja që provimi i jurisprudencës të mund jepet edhe në gjuhën shqipe, thotë Mevlan Ademi nga nisma studentore, duke pyetur deputetët se në çfarë forme tjetër do të zgjidhet nëse çështja nëse jo me rezolutë?!
“Në takimin tonë të fundit me z.Qoku ai na tha që këtë do e zgjidhim me presion politik, z.Elezi në deklaratën e tij tha që do zgjidhet me ndryshime ligjore, se janë krijuar grupet e ekspertëve. A janë krijuar grupet e ekspertëve?! Sepse edhe para 1 viti është thënë që janë krijuar grupet e ekspertëve, por atëherë doli që nuk paskan qenë të krijuara dhe e vetmja përgjigje që e shohim që e ka të unifikuar është sa i përket afatit kohor askush nuk mund të na japë përgjigje se kur mendojnë që do të zgjidhet kjo”, tha Mevlan Ademi.
Ditë më parë, duke folur në Click Plus, Afan Elezi nga VLEN, tha se çështja e shqipes në provimin e jurisprudencës nuk mund të zgjidhet përmes rezolutave, por vetëm përmes ndryshimeve ligjore. Ai theksoi se aktualisht po punohet për plotësimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, i cili nuk përcakton qartë gjuhën në të cilën duhet të zhvillohet provimi.
“Unë jam duke thënë se ne jemi duke vepruar në këtë rast, ne jemi duke punuar në ndryshim të ligjit me ligj parashihet, domethënë Ligji për Provimin e Jurisprudencës, nuk ka asnjë normë, nen ku parasheh se në çfarë gjuhe duhet të jepet provimi i jurisprudencës, tani tek e njëjta duhet të bëhet ndryshimi”, deklaroi Afan Elezi.
Grupi parlamentar i Frontit Europian, në emër të studentëve, gjatë javës dorëzoi në Kuvend rezolutën që synon zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës.
Ajo mban nënshkrimet e të gjithë deputetëve shqiptarë të opozitës, ndërsa u bëhet thirrje edhe deputetëve të shumicës dhe të të gjitha partive.
Rezoluta vë në pah se studentët shqiptarë, edhe pse ndjekin dhe përfundojnë studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara, nuk mund të kryejnë provimin në gjuhën e tyre amtare, çka përbën shkelje të ligjit dhe cenim të parimit kushtetues të barazisë.
