Pas më shumë se 30 vjetësh pa përparim të madh në trajtimin e tumoreve solide tek fëmijët, spitali “Children’s National” në Washington po përgatitet të nisë një provë klinike që po konsiderohet si rreze e re shprese.
Doktoresha Catherine Bollard, nënkryetare dhe drejtuese e studimeve në spital, e ka përshkruar këtë si “momentin më të rëndësishëm të karrierës sime”. Ajo dhe ekipi i saj do të përfshijnë fëmijë me sarkoma pediatrike dhe tumore të tjera solide që nuk kanë reaguar ndaj kimioterapisë apo rrezatimit, ka shkruar The Washington Post.
“Për 30 vjet, ndërsa mjekësia ka avancuar në kancerin e gjirit dhe leukeminë kronike, progresi në kanceret solide të fëmijëve ka qenë i zymtë. Nuk ka pasur të njëjtën përpjekje dhe mbështetje financiare për ta kuptuar biologjinë e këtyre kancereve si për ato të të rriturve”, ka thënë Bollard.
Qasja e dyfishtë që s’është provuar më parë
Prova klinike do të përfshijë 12 fëmijë dhe do të përdorë qeliza T të marra nga vetë pacientët, të modifikuara për ta luftuar tumorin në dy drejtime njëkohësisht. Trajtimi do të synojë dy proteina: PRAME, që nxit rritjen e tumorit, dhe B7-H3, që ndihmon kancerin t’i shpëtojë sistemit imunitar.
“Kanceret janë shumë të zgjuara. Kur e kuptojnë që trajtimi po sulmon një objektiv të vetëm, ato mund ta heqin atë objektiv. Por nëse i godet dy njëherësh, është shumë më e vështirë për to të përshtaten”, ka shpjeguar Bollard.
Ideja për këtë qasje të re i erdhi asaj gjatë një udhëtimi për në spital, në fund të vitit 2024. Para se ta paraqisnin aplikimin te FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave), ekipi duhej të provonte që terapia ishte mjaft e fuqishme dhe e sigurt.
Përgatitja e qelizave T të çdo fëmije zgjat rreth tre javë, me një javë shtesë për testime sigurie.
Përpjekja globale për ta çarë murin e heshtjes
Ky studim është pjesë e projektit ndërkombëtar Cancer Grand Challenges, një iniciativë prej 470 milionë dollarësh e nisur nga Instituti Kombëtar i Kancerit i SHBA-së dhe organizata britanike Cancer Research UK.
“Synojmë të ndërtojmë mbi sukseset ekzistuese, por të përqendrohemi në problemet e vështira ku duhen ide të reja”, ka thënë David Scott, drejtor i projektit.
Në Shtetet e Bashkuara diagnostikohen rreth 3,700 raste të reja me tumore solide pediatrike çdo vit, numër i ulët që e bën më të vështirë tërheqjen e kompanive farmaceutike për kërkime.
“Kemi pasur disa përparime, por ritmi për fëmijët është shumë i ngadaltë. Për shembull, në osteosarkomë, tumor i rrallë i eshtrave, nuk kemi ndryshuar terapitë për dekada”, ka thënë doktoresha Cindy Schwartz nga “Children’s Wisconsin”.
Pse trajtimet për të rriturit nuk funksionojnë gjithmonë te fëmijët
Një nga arsyet pse përparimi është i ngadaltë, sipas Bollard, është se mjedisi mikrorrethues i tumoreve të fëmijëve është ndryshe nga ai i të rriturve.
“Shihni gjithë reklamat për ilaçe si Opdivo, inhibitorët e imunitetit. Këto terapi nuk po funksionojnë për tumoret pediatrike. Kjo ndodh sepse sistemi imunitar i fëmijëve nuk ka pasur dekada përvojë me viruset si ai i të rriturve”, ka shpjeguar ajo.
Zëri i atyre që kanë mbijetuar
Një nga avokatet e pacientëve në këtë provë është Abbe Pannucci, 25 vjeçe, e cila ka mbijetuar nga një sarkomë agresive që i ishte përhapur në trup.
“Kur isha 10 vjeçe, më dhanë më pak se 30 për qind shanse për mbijetesë. Tani po e përdor përvojën time për t’i ndihmuar fëmijët e tjerë. Po krijoj arsyen time pse jam gjallë”, ka treguar ajo.
Ajo ka kaluar 54 cikle kimioterapie dhe shtatë lloje trajtimesh, që e lanë pa mundësi për të pasur fëmijë dhe me rrezik për kancere të tjera dytësore. Sot, ajo ndihmon në krijimin e materialeve edukative që shpjegojnë procesin e provës në mënyrë të kuptueshme për fëmijët.
Një tjetër avokat është Gavin Lindberg, themelues i organizatës “EVAN Foundation”, që mban emrin e djalit të tij.
“Evan ishte gëzim i pastër. E trajtoi sëmundjen me guxim e forcë që s’e besoje se vinte nga një fëmijë”, ka thënë ai. Djali vdiq në moshën 7-vjeçare pas një beteje katërvjeçare me neuroblastomë, një kancer i rrallë që prek indet nervore.
Prindërit e tij dhuruan qelizat e Evanit për kërkime shkencore.
“Ndonjëherë mendoj se studiuesit mund të jenë duke përdorur qelizat e tij tani, dhe kjo më jep shpresë”, ka thënë babai i tij.
Një përpjekje që mund të ndryshojë rrjedhën
Për tri vjet, ekipi i Bollardit ka përgatitur terrenin për këtë provë: testime në laborator, shkrimin e protokolleve dhe marrjen e miratimeve.
“Duhej të siguronim që ishte po aq e sigurt sa trajtimet që synojnë vetëm një objektiv. Nëse funksionon një herë apo dy, s’mjafton. As tre herë s’mjafton. Por nëse funksionon dhjetë herë, atëherë ndoshta kemi një sinjal që mund të ndryshojë historinë”, ka theksuar ajo.
The post Studimi klinik që po u jep shpresë disa fëmijëve të sëmurë me kancer appeared first on Alsat.

