Frigoriferët në supermarketet franceze janë goditur nga një sulm kibernetik që shkaktoi ngrohjen e frigoriferëve dhe ngrirësve të tyre, duke prishur ushqime të freskëta dhe të ngrira, vlera e të cilave vlerësohet në miliona euro, raporton “BBC”.
Hakerët morën kontrollin e softuerit që rregullon temperaturat e njësive frigoriferike, duke bërë që disa prej frigoriferëve të ngroheshin deri në 50 gradë Celsius gjatë natës, sipas një zinxhiri supermarketesh që është prekur.
Drejtori ekzekutiv i Coopérative U tha se disa nga supermarketet e saj ishin goditur nga ky sulm “jashtëzakonisht serioz dhe i paprecedentë”.
Më shumë se 100 supermarkete të këtij zinxhiri ishin shënjestruar, ndërsa u prekën edhe 180 dyqane të Intermarché dhe markës së saj Netto. Një zëdhënës tha se edhe 100 dyqane të tjera u shkëputën urgjentisht nga interneti për të parandaluar që e njëjta gjë t’u ndodhte edhe atyre.
Edhe shitës të tjerë të mëdhenj të produkteve ushqimore, përfshirë Carrefour, Monoprix dhe E.Leclerc, u goditën nga sulmi, i cili shënjestroi softuerin e ofruar nga kompania daneze e inxhinierisë Danfoss.
Softueri u mundëson shitësve me pakicë t’i menaxhojnë nga distanca njësitë e tyre frigoriferike.
Zakonisht, ngrirësit e supermarketeve kalojnë gjatë natës nëpër një periudhë të shkurtër shkrirjeje, gjatë së cilës temperaturat rriten paksa. Por hakerët urdhëruan që njësitë të ngroheshin dhe të qëndronin të nxehta, megjithëse Danfoss nuk i konfirmoi raportimet se deri në çfarë temperature mund të ngroheshin frigoriferët dhe ngrirësit gjatë këtij procesi.
