Sylvinho vlerësoi paraqitjen e ekipit tonë kuqezi në miqësoren ndaj Gjibraltarit, e fituar minimalisht me penalltinë e Asanit, duke theksuar debutimin e disa lojtarëve të rinj dhe rëndësinë e përgatitjes për ndeshjen vendimtare kundër Letonisë. Ai theksoi se atmosfera në grup është shumë pozitive dhe se Shqipëria do të japë maksimumin në fushë pas pak ditësh:
“Ishte një ndeshje e vështirë. E kam thënë se është gjithmonë e vështirë ta përgatitësh një miqësore para një ndeshje të rëndësishme zyrtare, siç është Letonia. Lojtarët kanë bërë shumë mirë, 3-4 prej tyre ishin të rinj, që luanin për herë të parë nga fillimi me ne.
Kanë bërë shumë mirë, nuk është e thjeshtë për ta. Mua më kujtohet që në përfaqësuesen e Brazilit, kur debutova, nuk më ka zënë gjumi natën. Jam i lumtur për ta, edhe për të tjerët. Kemi bërë një paraqitje të mirë, në një ndeshje të vështirë, nuk ishte e thjeshtë.
Kemi bërë diçka të rëndësishme, kemi eksperimentuar ndonjë lëvizje, por kaq, është gjithçka ende e hapur. Kemi 3-4 ditë stërvitje të mira për ta përgatitur shumë mirë ndeshjen tepër të rëndësishme për ne, ndaj Letonisë në fushën tonë. Do të punojmë në ditët në vijim, çdo gjë është e hapur.
Do të kthehemi në Tiranë, presim mbështetje nga publiku ynë. Tifozët mund të na japin një shtysë të mirë, sepse është ndeshje mjaft e rëndësishme. Duhet të japim gjithçka në fushë, duam atmosferë të mirë mes të gjithë neve, edhe futbollistëve”.
The post Sylvinho largon “fantazmat”: Sa e vështirë ndaj Gjibraltarit, tifozët të na ndihmojnë me Letoninë appeared first on Telesport.