“Maqedonia dhe Shqipëria nuk kanë çështje të hapura,” theksoi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj gjatë konferencës së përbashkët për media me mysafirin e saj, presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh, por edhe respektimin e komuniteteve në të dy vendet.

“Një urë e rëndësishme në bashkëpunim është pakica kombëtare maqedonase në Republikën e Shqipërisë, por për zotin Begaj po ashtu është statusi i shqiptarëve tek ne. Sigurisht, të dy shtetet, në frymën e Konventës kornizë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, në frymën e akteve të tjera që lidhen me mbrojtjen, gjithmonë janë të hapura për bashkëpunim”, tha Gordana Siljanovska-Davkova – Presidente e Maqedonisë së Veriut.

Afërsia mes Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk është vetëm gjeografike, por është e vazhdueshme, theksoi Bajram Begaj në fjalimin e tij. Ai theksoi rolin e shqiptarëve në Maqedoni, për të cilët tha se janë pjesë e popullit shtetformues që jep kontribut të madh për stabilitetin e vendit, por edhe për progresin në rrugën eurointegruese. Megjithatë, nuk la pa vënë në dukje se duhet të respektohet përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë.

“Ne vlerësojmë që përfaqësimi i drejtë dhe i duhur i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve për gjuhën shqipe, për të cilën lidhet dhe është pjesë e identitetit të shqiptarëve, dhe respektimi i mekanizmave për barazi nuk janë vetëm çështje teknike, por përbëjnë element thelbësor për kohezionin social, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane”, theksoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Gjatë konferencës për media u ngrit edhe pyetja për hapjen e kampeve të migrantëve në Pustec, për të cilën banorët, kryesisht nga komuniteti etnik maqedonas, protestuan për vendimin. Begaj theksoi se qëllimi nuk është vendosja e emigrantëve në Pustec, por kjo është pjesë e masave të Qeverisë në rast se krijohen flukse më të mëdha të migrantëve.